Statistikat, bien të ardhurat nga turizmi

11/06/2010 09:05

 Hyrjet valutore nga shërbimet e udhëtimit në periudhën janar-mars të këtij viti u ulën me 50 milionë euro ose me 23.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009, bëhet e ditur nga statistikat e Llogarisë Korrente të publikuara dje nga Banka e Shqipërisë.

Hyrjet nga shërbimet e udhëtimit në vend qenë 161 milionë euro për periudhën janar-mars të këtij viti nga 212 milionë euro në periudhën janar-mars 2009.

Në të njëjtën kohë, shqiptarët duket se shpenzuan 177 milionë euro në udhëtime jashtë vendit ose 45 milionë euro më pak se një vit më parë.

Në sektorin e shërbimeve të udhëtimeve, vendi ynë pësoi një deficit prej 15 milionë eurosh.

Deficiti është i zakonshëm për këtë periudhë të vitit.

Rënia e madhe në të ardhura duket se lidhet veçanërisht me udhëtimet zyrtare, të cilat vitin e kaluar ishin shumë më të mëdha se këtë vit, për shkak të zyrtarëve apo gazetarëve të huaj që erdhën në vendin tonë për monitorimin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare.

Sipas të dhënave të BSH, Shqipëria pati 1.3 miliardë euro të ardhura dhe 1.13 miliardë euro shpenzime nga shërbimet e udhëtimit vitin e kaluar.

Të ardhurat u rritën me 10 për qind kundrejt vitit 2008, ndërsa shpenzimet u rritën me 6.7 për qind.

Top Channel