Qeveria: Hetim zgjedhjeve, por jo vendimit te gjykatave

11/06/2010 15:25

Përmes zëdhënëses dhe ministres së Integrimit Majlinda Bregu, qeveria përshëndeti deklaratën e nënsekretarit amerikan të shtetit, i cili e konsideroi qeverinë dhe kryeministrin Berisha si legjitim.

Duke iu referuar krizës politike, Bregu ftoi opozitën të bëhet pjesë e një hetimi parlament, por pa prekur cështje për të cilat është shprehur gjykata me vendim.  

“Qeveria shqiptare përshëndet deklaratën e Zëvendës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. James Stainberg, i cili riafirmon qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe institucioneve legjitime shqiptare. Rikonfirmojmë publikisht edhe një herë se Mazhoranca Legjitime e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit i ka ofruar opozitës për zgjidhjen e qëndrimit të saj ndaj parlamentit jo vetëm pjesëmarrje në Komisionin Hetimor Parlamentar,  por edhe shumicen me votë në këtë komision, si dhe kryesimin e tij, për të mundësuar hetimin e çdo çështje që lidhet me zgjedhjet, perveç çështjeve për të cilat ka vendim gjykate. Këto të fundit opozita ka mundësinë t’i ndjekë dhe t’í zgjidhë në rrugë gjyqësore”, u shpreh Bregu.

Ajo theksoi se “rikonfirmojmë se i kemi njohur opozitës të drejtën ekskluzive për të përkthyer në amendamente të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet e ardhshme, pasi opozita të jetë konsultuar edhe me Komisionin e Venecias. Garantojmë se keto amendamente, të hartuara nga opozita, do të votohen plotësisht në parlament.Duke përshëndetur edhe një herë deklaraten e  Zëvendës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z.James Stainberg, Qeveria i bën thirrje opozitës të mos hedhë poshtë këto oferta dhe të dëshmojë se është një opozitë e përgjegjëshme për të kontribuar në zgjidhjen e çështjeve në interes të vendit.”
   

Top Channel