Swoboda flet për vizat dhe integrimin

10/06/2010 08:45

Liberalizimi i vizave merr një garanci tjetër deklarative, se nuk do të cenohet nga “humori” i krizës politike të brendshme në Shqipëri, apo potenciali shpërthyes migrator i saj.

Ky konstatim, që është bërë familjar për qytetarët shqiptarë nga zëdhënësit apo funksionarët e lartë të qeverisë, vjen në mënyrë të tërthortë edhe nga një prej përfaqësuesve më të lartë të së majtës europiane, zv.presidenti i Grupit parlamentar të Partive Socialdemokrate, anëtari i Komitetit të Çështjeve me Jashtë të Parlamentit Europian, Hanes Swoboda.

Në një artikull të titulluar “Ballkani Perëndimor – një hap përpara, dy hapa mbrapa”, për Institutin Ndërkombëtar për Studimet Ballkanike dhe Lindjes së Mesme (IFIMES), ai ka bërë të qartë se ecuria e deritanishme dhe e mëtejshme e rajonit ka si premisë pozitive liberalizimin e plotë të vizave për qytetarët e tij.

“Sukseset e rëndësishme të muajve të fundit përfshijnë padyshim liberalizimin e vënë në jetë më 19 dhjetor 2009. Popullsia e Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë, dy vende që nuk hyjnë në listën e bardhë Shengen për shkak të mosplotësimit të disa kushteve teknike, e pritën shumë negativisht këtë situatë… Për më shumë që heqja e vizave u shoqërua me një valë abuzimi nga individë të paskrupullt, të cilët u premtuan mundësi punësimi në vendet e BE-së bashkatdhetarëve të tyre të dëshpëruar. Këto incidente u pritën shumë keq nga opinioni europian dhe duhet të merren seriozisht në konsideratë nga liderët e Ballkanit Perëndimor. Fatmirësisht, problemi u zgjidh shumë shpejt”, citon Swoboda.

Bie në sy nënvizimi i faktit se penalizmi i Shqipërisë dhe Bosnjës në fund të 2009-s ka pasur vetëm arsye teknike, duke e rikonfirmuar perspektivën e lëvizjes së lirë pikërisht në këtë dritë vlerësimi.

Thënë ndryshe, loja e bërë deri më tani në Shqipëri, që ka synuar ushqimin e ankthit të vizave në funksion të rritjes së pozitës negociuese në krizën e brendshme politike, duket se ka rënë përfundimisht.

Por kriza megjithatë mbetet dhe ajo është shqetësim edhe ndërkombëtar. Europarlamentari Swoboda nuk ka munguar që ta rendisë atë që ai e quan si “kriza e Parlamentit shqiptar”, në një rang shqetësimi politik me konfliktin greko-maqedonas për emrin.

“Kur flitet për Ballkanin Perëndimor në 2010, dy kriza të rëndësishme nuk mund të lihen pa u përmendur; çështja e emrit të Maqedonisë dhe kriza parlamentare në Shqipëri. Në këto raste, ne konstatojmë për fat të keq një mungesë maturie politike të palëve të përfshira për të arritur kompromise të pranueshme dhe të ndershme. Sikurse kam propozuar për rezolutën e pritshme të Parlamentit Europian për Integrimin e Shqipërisë, një zgjidhje e konfliktit lidhur me shqetësimin për zgjedhjet duhet gjetur nga të dyja palët. Ne presim propozime kompromisi nga të gjitha palët”, shkruan numri dy i europarlamentarëve të majtë.

Nënteksti është shumë i qartë me këtë rast; nëse kriza do të vijojë si tani, rezoluta e PE-së do të pasqyrojë përmbajtje negative, që mund të jetë edhe hapi i parë penalizues për vendin.

Top Channel