Ruci: Duhet të zgjidhet kriza

10/06/2010 12:05

Situata politike në të cilën po kalon vendi dhe mosarritja ende e një marrëveshjeje mes palëve kanë zbritur sërish në sallën e kuvendit.

Ka qenë kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruci, ai i cili deklaroi se mazhoranca nuk po i përgjigjet kërkesave të opozitës për zgjidhjen e ngërcit, ndërsa theksoi se kërkohet një marrëveshje e gjerë dhe e plotë që të ketë qëndrueshmëri.

“Duhet të arrihet një marrëveshje e gjerë për t’i dhënë qëndrueshmëri, vlera, si dhe institucione kushtetuese këtij vendi.Duhet të gjykoni me gjakftohtësi dhe ta shihni të vërtetën në sy. Opozita nuk është garnitura e seancës dhe në këto kushte nuk mund të bëhemi bashkëfajtorë dhe bashkëpërgjegjës me këtë qëndrim”, u shpreh Ruci.

Ndërkohë kreu i grupit kuvendor demokrat Astri Patozi kërkoi nga kolegu i tij Ruci që të mos përdorë më fjalën krizë, pasi në vend nuk ka asnjë situatë të tillë.

“Ne jemi gati të miratojmë cdo pakt dhe jemi gati të bashkëpunojmë. Kemi një detyrim madhor: mosshkeljen e ligjeve dhe kushtetutës së këtij vendi”, u shpreh Patozi.

Një ditë para nisjes së kampionatit botëror të futbollit, Patozi ftoi kolegët e opozitës që të mos i bezdisin më shqiptarët me historinë e kutive, por t’i lënë të qetë të shijojnë këtë eveniment sportiv.

Top Channel