Enrico Mentana rrëfehet në “Top Story”

10/06/2010 21:35

Një nga emrat më në zë të gazetarisë italiane, Enrico Mentana, i ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla ka folur për marrëdhënien e tij me Silvio Berluskonin, presionin që iu ushtrua dhe pse ai u detyrua të largohej nga detyra.

“U hoqa për arsye se duhej që edicioni i lajmeve të ishte më i vëmendshëm ndaj politikës së kryeministrit Berlusconi”, theksoi Mentana.

“Për shembull, nëse në Shqipëri një media duhet të jetë më i ndjeshëm ndaj kryeministrit Berisha vihet një drejtor i lajmeve që i përshtatet me shumë profilit të tij politik. Nëse ti do të ndryshosh linjën e një edicioni lajmesh një mënyrë është duke i ndryshuar drejtorin”, theksoi Mentana.

Sipas gazetarit të njohur, t’i gjendet një zgjidhje këtij problemi është shumë e vështirë, pasi edhe marrëdhëniet mes politikanit dhe medias janë bërë edhe më të forta kohët e fundit.

“Nuk është e lehtë sepse politikanët tashmë jetojnë në të gjithë botën raportin me masmedian si një çështje personale. Për shembull Obama apo Sarkozi janë shumë të kujdesshëm për imazhin e tyre. Në kohët e sotme ideologjia ka gjithnjë e më pak vend. Tashmë politika është shumë e personalizuar. Politikanët janë shumë të kujdesshëm të këtij aspekti të masmedias. Le të flitet më shumë për mua sesa për kundërshtarin, këto janë rregullat e reja të lojës”, theksoi Mentana.

Sipas tij, “misioni i gazetarit është të japë lajme, të rrëfejë atë që ndodh dhe jo të thotë se Berlusconi ka gjithmonë të drejtë dhe Berisha ka gjithmonë të drejtë”.

Top Channel