Berisha: PS, jo me syzet e Ramës

10/06/2010 19:50

Duke folur në Laç gjatë inagurimit të një shkolle, kryeministri Berisha sulmoi opozitën e cila, sipas tij, nxin çdo gjë në Shqipëri. Ai i ftoi deputetët e opozitës të mos e shikojnë realitetin me syzet e Edi Ramës, por të vijnë edhe ata në inagurimin e veprave të reja.

“Çdo ditë inaugurojmë rrugë të reja, shkolla të reja, ujësjellës e kanalizime e megjithatë në Shqipëri si në asnjë vend tjetër, krerët e opozitës mohojë çdo gjë. Dalin para mediave të vrerosur gjoja për atë që krijojnë vetë në mendjen e tyre. Flasin për krizë dhe krizë të madhe sepse krizë kanë në kokën e tyre”, është shprehur Berisha.

“Unë jam këtu për t’i ftuar të gjithë deputetët e opozitës, le të vijnë dhe ata për të gëzuar së bashku inaugurimet e reja. Sepse këto nuk janë vetëm për demokratët, këto janë për të gjithë qytetarët pavarësisht nga bindjet partiake. Zotërinj, mos shikoni realitetin me gjyzlykët e kryetarit, sepse kryetarit gjithnjë e më shumë po i nxihen gjyzlykët”, theksoi Berisha.

“Urdhëroni zonja dhe zotërinj, deputetë të Partisë Socialiste, në çdo komunë ku do të shkojë kryeministri jeni të ftuar, në çdo komunë ku shkojnë ministrat për inaugurim jeni të ftuar, sepse këto vepra jo vetëm që ndërtohen për të gjithë qytetarët kanë mundin dhe djersën e taksapaguesit socialist gjithashtu, si gjithë të tjerët”, tha kryeministri.

“Duhet të vini në këto inaugurime dhe si vlerësim e respekt të madh ndaj atyre që ju kanë votuar dhe pastaj jam i bindur se do të ndihmoni dhe kryetarin tuaj, duke i thënë se janë gjyzlykët ato që ta nxijnë Shqipërinë, sepse Shqipëria po zbardhet çdo ditë e më shumë”, theksoi Berisha.

Top Channel