Bleona, historia e 6 vjeçares së zhdukur

09/06/2010 20:00

Natyra përreth malit Koretnik, 40 kilometra larg Kukësit duket e qetë. A thua këtu s’ka ndodhur asgjë me rëndësi. Fëmijët sapo janë kthyer nga shkolla. Gratë e fshatit të mbledhura për një rast familjar kuvendojnë me zë të ulët me njëra-tjetrën.

Në këtë mjedis të urtë të malësive shqiptare të vetmit që nuk gjejnë qetësi janë familjarët e Bleonës së vogël e cila që prej të premtes së 21 majit, 6 vjeçarja nuk është kthyer në shtëpi.

Personi i parë që na pret është gjyshi, ai ka 19 ditë që nuk vë gjumë në sy me shpresën se ndodkush do të trokasë në derë për t’u dhënë lajmin e mirë.

Zeneli ishte i pari që u njoftua nga familja Mata për humbjen e vajzës. Për herë të parë Bleona e vogël dilte për të kullotur bagtitë në pyjet e malit ngjitur me shtëpinë e saj.

“Ishte ora rreth 17:00 kur më merr vajza në telefon dhe pyet nëse Bleona ka ardhur në shtëpi. Menjëherë lash punën ika tek shtëpia, kontrollova të gjitha dhomat dhe s’e gjeta. Atëherë thirra nusen dhe gruan dhe u thash të kontrollonin nëpër fshat. Nuk gjetëm gjë”, është shprehur Zeneli.

Lajmi ishte vërtet tronditës. Zapoti është një fshat i vogël dhe të gjithë njerëzit njihen me njeri-tjetrin. Shumë shpejt pasi mësuan për humbjen e vajzës së vogël të familjes Mata, pati shumë prej tyre që u vunë në kërkim.

“Pasi kishte kaluar gjysmë ore ka ardhur gjithë fshati me gra, fëmijë, burra dhe u bëmë rreth 400 veta që filluam të kërkonim. Kjo punë zgjati deri në orën 9 dhe në këtë orë njoftova policinë. Brenda 1 ore e gjysmë ka ardhur edhe policia”, tregon Zeneli.

Duke sfiduar errësirën, terrenin e vështirë dhe motin shpeshherë me shi, i ati qëndron në krye të kërkimeve. Edhe atëherë kur forcat e policisë largohen për të ardhur ditën tjetër, Zamiri vazhdon të kërkojë.

“Bëmë kërkimet tona nëpër mal. Kam kërkuar edhe nëpër malet e Kosovës. S’kam lënë vend pa shkuar, s’e dimë më ku të kërkojmë. Nuk ka asnjë gjurmë”, thotë Zamiri.

Në katin e dytë të shtëpisë ndodhet dhoma e Bleonës. Aty gjejmë të ëmën që qëndron në krevatin e së bijës duke qarë mbi rrobat e saj.

“Nuk e di se si jam, as në tokë, as në qiell. Nuk e kuptoj dhe veten se kush jam pa të, kot… Gjatë gjithë kohës vetëm shikoj fotografi dhe qaj dhe i lutem Zotit ditë e natë dhe nuk e di çfarë të bëj”, shprehet Bukuria.

Ngushëllimi i vetëm për të janë vetëm disa foto dhe djali i vogël Armeni, 4 vjeçar, që nuk e kupton dhimbjen e nënës së tij.

“Dua vetëm ta shikoj njëherë vajzën time. Nuk i kërkoj atij rrëmbyesit se pse ma ke rrëmbyer, vetëm i kërkoj që të mos ma dëmtoj fëmijën”, thotë me lot në sy Bukuria.

Bleona mezi po priste fillimin e vitit të ri shkollor. Ai do të ishte i pari për të. Një vajzë plotë jetë dhe e bukur që fliste vetëm italishten dhe një variant arkaik të sllavishtes malësore. Por ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj, Bleonës i pëlqente të fliste vetëm shqip.

Ende nuk dihet asgjë për Bleonën 6 vjeçare. Një fëmijë që do të rritet si gjithë fëmijët e tjerë, pa pretendime dhe plot me dëshirë për jetë. Por sidoqoftë, shpresa është ende gjallë.

“Nuk kanë ndodhur ndonjëherë këto gjëra në zonën tonë. Është hera e parë. Si përfundim ne këtë ngjarje ja kemi lënë shtetit, pasi punojmë për të dhe kërkojmë që të zbardhë të vërtetën se ku është kjo vajzë. Do të vazhdojmë të presim derisa shteti të heqë dorë”, thotë Zeneli.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel