Berisha: Në politikë është kthyer kultura e Bllokut

09/06/2010 19:40

Ndërtimi i një shkolle të re nëntëvjecare në Fushë Krujë, një investim prej 71 milionë lekësh, i ka shërbyer kryeministrit Berisha për të krahasuar përpjekjet e qeverisë dhe të opozitës në rrugën e integrimit europian të vendit.

“Sot, në politikën shqiptare po realizojmë përpjekjen e madhe shqiptare për integrimin evropian. Por, krahas saj është rikthyer kultura  e Bllokut, me ardhjen në krye të Partisë Socialiste të pinjollëve të Bllokut. Sipas saj, në Shqipëri dielli ka ndaluar, sipas saj ekonomia shqiptare është e rrënuar, sipas kësaj kulture, shqiptarët janë për t’u mashtruar, shqiptarëve mund t’u servirin çdo gënjeshtër. Asnjë interes për ju nuk kanë. Çdo gjë këta shokë apo zotërinj e matin me interesin e tyre personal apo familjar”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, kjo kulturë që mbizotëron në radhët e partisë më të madhe të opozitës është prova që dëshmon dështimin total të lidershipit të saj.

“Kultura e Bllokut, anti-kultura e Bllokut është shprehje e dështimit total të lidershipit të Partisë Socialiste. Anti-kultura e bllokut është një anti-kulturë fund e krye kundër integrimit të Shqipërisë në BE. Në emër të kësaj anti-kulture përpiqet të shkelmohet vota juaj”, ka pohuar Berisha.

Duke e cilësuar udhëheqjen e Partisë Socialiste si hije të së shkuarës, kryeministri Berisha tha se ato nuk do të mund të pengojnë të sotmen dhe të ardhmen e vendit dhe ftoi qytetarët që pavarësisht bindjeve politike të bashkohen për të ecur me shpejtësi drejt ndërtimit të një Shqipërie europiane.

Top Channel