Politikat e punësimit, ligjet nuk dhanë efekt

08/06/2010 15:00

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave dëshmojnë se politikat për nxitjen e punësimit kanë dështuar. Në vitin 2005 qeveria e sapokrijuar e shpalli punësimin si një nga prioritetet absolute të saj.

Në programin qeverisës të asaj kohe shkruhej “në Projektin per ndryshim, mazhoranca e re dhe qeveria e saj synojne te krijojne mundesi per punesim te cdo shqiptari. Papunesia afatgjate dhe e pashprese, si urbane dhe rurale, trasheguar nga qeverisjet socialiste, perben nje kercenim serioz social dhe nje barriere per zhvillimin e vendit.”  Krahasuar me vitin 2005, numri i atyre që sot kanë një punë është sipas INSTAT, 33 mijë vetë më i ulët.

Në vitin 2007 për të nxitur punësimin, një nga masat kryesore që shpalli qeveria ishte përgjysmimi i taksave të punës. Krahasuar me tre vjet më parë sigurimet për bizneset janë ulur nga 31 për qind e pagës bruto në 15 për qind të saj. Për të njëjtën periudhë numri  i të punësuarve jo vetëm që s’u rrit, por ka rënë me 40 mijë vetë.

Në fakt, rënia e numrit të punësuarve ka ardhur si pasojë e zvogëlimit të administratës dhe rillogaritjes së të punësuarve në sektorin bujqësor. Por nga ana tjetër të dhënat dëshmojnë se edhe biznesi privat nuk po krijon punësim.

Krahasuar me fundin e 2007-ës, numri i të punësuarve në bizneset private jobujqësore është rritur me vetëm 6600 vetë, kur paradoksalisht për të njëjtën periudhë, INSTAT thotë se janë hapur rreth 30 mijë ndërmarrje të reja. Ekspertët thonë se ekonomia shqiptare edhe pse rritet nuk prodhon punësim, një problem ky që ka prekur shumicën e vendeve të rajonit. Sipas tyre kjo situatë mund të shndërrohet shumë shpejt në një problem që prek jo vetëm mirëqënien e qytetarëve, por edhe financat e qeverisë dhe sistemin e pensioneve, përmes të ardhurave të munguara dhe rritjes së fondeve mbrojtjen sociale.      

Top Channel