Kontroll klinikave private

05/06/2010 15:35

Të gjitha spitalet, klinikat apo laboratorët privatë do të kalojnë në sitën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Rastet e përsëritura të diagnostikimit të gabuar apo dhe trajtimi jo i përshtatshëm i pacientëve për më tepër kur shërbimet në këto klinika paguhen me tarifa të shtrenjta nga pacientët ka alarmuar Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë me shumë përgjegjësi ka konstatuar se në klinika private vijnë raste ku jo gjithmonë standardi i diagnostikimit ka qenë i duhuri”, është shprehur Vasili.

Duke u nisur që nga dita e hënë një task-forcë e ngritur me specialistë dhe drejtues të lartë të shëndetësisë do të nisin një kontroll të imtësishëm që nga liçenca me të cilën janë pajisur deri në formimin profesional të mjekëve dhe infermierve që ushtrojnë aktivitet në to.

“Liçensimi pa asnjë devijim nga proçedura legale, verifikim i kompetencës legale të personelit që shërben atje, niveli i arsimit dhe teknologjia që ata kanë. Në mënyrë që çdo institucion të ofrojë në mënyrë të sigurtë atë çka qytetarët shqiptarë presin”, tha Vasili.

Gazeta “Shqip” zbuloi një rast të diagnostikimit të gabuar, ku një pacient në një klinikë private u diagnostikua me tumor dhe iu tha se duhej operuar. Diagnoza u hodh poshtë nga një tjetër klinikë private, por këtë radhë jashtë Shqipërisë, ku mjekët diagnostikuan në vend të tumorit një gastrit të lehtë.

Top Channel