Fshatarët s’kanë rrugë për të nxjerrë mallrat

04/06/2010 08:20

Gati gjysma e banorëve të zonave rurale të Shqipërisë thonë se mungesa e rrugëve të përshtatshme për të gjitha stinët ua heq mundësinë për të nxjerrë mallrat e tyre në treg, thotë një studim i kryer nga Banka Botërore.

“Pavarësisht progresit mbresëlënës në zhvillimin ekonomik të arritur gjatë viteve të fundit, popullata shqiptare mbetet kryesisht rurale, ku varfëria vijon të jetë endemike. Një studim mbi varfërinë dhe shkaqet e saj doli në konkluzionin se pas punësimit dhe të ardhurave, shumë shqiptarë e konsiderojnë mungesën e infrastrukturës si një nga shkaqet kryesore të standardit të ulët të jetesës”, thotë Banka Botërore në një njoftim për shtyp.

“49 për qind e prodhuesve në zonat rurale thanë se mungesa e mjeteve të transportit, mbi të gjitha rrugëve të përshtatshme për të gjitha stinët, qe problemi kryesor i aktivitetit të tyre tregtar. Ata thonë se rrugët e këqija janë edhe një prej shkaqeve të emigrimit nga zonat rurale në drejtim të zonave urbane, si dhe pengojnë shpërndarjen e duhur të shërbimeve arsimore e shëndetësore”, thotë BB.

Programi i Bankës Botërore ka financuar ndërtimin e rrugëve rurale për 26 bashkësi, ndërsa programi ka financuar edhe trajnimin e banorëve vendas për mirëmbajtjen e rrugëve.

Top Channel