Parlament, PD-PS replikojnë për integrimin

03/06/2010 18:40

Në seancën e sotme parlamentare, Partia Socialiste ka bërë përgjegjëse qeverinë se po pengon vendin në procesin e integrimit.

Deputetja Arta Dade, në fjalën e saj vlerësoi se në samitin e Sarajevës, BE shprehu shqetësimin se Shqipëria nuk po plotëson standartet e kërkuara për heqjen e vizave dhe integrimin.

“Perspektiva evropiane e Ballkanit perëndimor është thelbësore. Në samitin e Sarajevës u tha se ka ende vende që duhet të intensifikojnë përpjekjet për të përmbushur kriteret e nevojshme. Samiti shprehu gjithashtu shqetësimin për moskryerjen e reformave në drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, ka pohuar Dade.

Dade ka përshëndetur angazhimin e BE për heqjen e vizave për Shqipërinë, por i ka bërë thirrje qeverisë që të hapë kutitë në mënyrë që të zhbllokojë këtë proces bashkë me atë të integrimit.

“Ne e përshëndësim angazhimin e BE për heqjen e vizave, por qëndrimi i qeverisë Berisha bie ndesh me gjithcka që është arritur në samitin e Sarajevës. Berisha të nënshkruajë kompromisin për nisjen nga puna të komisionit hetimor, ose të marrë përsipër përgjegjësinë për dështimin në procesin e integrimit”, ka shtuar Dade.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit demokrat Edi Paloka, i cili ka deklaruar se PS nuk mund të japë leksione për integrimin, duke qenë se ishte ajo që u mundua ta pengonte atë.

Paloka ka replikuar drejtpërdrejt me deputeten Arta Dade, duke hedhur një sërë akuzash ndaj saj.

“Dëgjon opozitën që jep leksione për integrimin, nga njerëz që dikur nuk kanë kontrolluar dot as njerëzit e tyre, që bënin pjesë në banda si Hakmarrja për Drejtësi. Ata na kërkojnë neve që të jemi parimor pasi pengojmë ne integrimin”, është shprehur Paloka.

Deputeti demokrat ka folur edhe për grevën e PS, të cilën e ka cilësuar si një mjet të dështuar të kryetarit Rama për të arritur objektivat e tij.

Paloka është shprehur se PS nuk arriti asgjë nga greva, duke qenë se ajo vazhdon ende të flasë me gjuhën e ultimatumeve.

“Me ato protesta nuk do të bënin asgjë tjetër vecse do të harxhonin ca para më shumë, do të thirrnin me forcë punonjësit e bashkive për t’i marrë në miting. Megjithatë, bënë grevën, dolën nga greva dhe prap s’keni marrë vesh asgjë. Sepse vazhdoni të flisni për fitore dhe ultimatume. I vetmi shans që iu dha Ramës ishte që të dilte nga kurthi që i kishte ngritur vetes”, ka shtuar Paloka.

Top Channel