Nis regjistrimi elektronik pranë mjekut të familjes

03/06/2010 08:45

Financimi i sistemit publik nga skema e sigurimeve shëndetësore dhe reformimi i sistemit shëndetësor në vendet e rajonit ishin në qendër të Forumit të katërt ballkanik për Sigurimet Shëndetësore të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë.

Shqipëria, organizatorja e parë e forumit ballkanik, u përfaqësua në këtë takim dyditor nga drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana.

“Shkëmbimi i eksperiencave mes vendeve tona po kthehet tashmë në një traditë të rëndësishme dhe frytdhënëse për përmirësimin e skemave aktuale të financimit të sistemit shëndetësor”, u shpreh në forum drejtoresha e ISKSH-së.

Informatizimi i sistemit shëndetësor, kryesisht atij parësor, ishte në qendër të diskutimeve të drejtorëve të Fondeve të Sigurimeve Shëndetësore të vendeve pjesëmarrëse; Maqedonisë, Sllovenisë, Hungarisë, Lituanisë, Kroacisë, Malit të Zi.

“Shqipëria po bën përpjekje në informatizimin e sistemit, si një prioritet i rëndësishëm i Task-Forcës. Aktualisht ISKSH ka përfunduar procesin e depistimit dhe ka nisur tashmë procesi i regjistrimit elektronik të popullatës në Qendrat Shëndetësore”, sqaroi Hana.

Top Channel