Bankat, kreditë e këqija mbulim me kapital

01/06/2010 08:50

Një rregullore e re për menaxhimin e rrezikut e miratuar pak ditë më parë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë sanksionon detyrime shtesë për bankat në drejtim të shtimit të kapitalit dhe uljes së portofolit të kredive në disa raste.

Rregullorja përcakton një numër të madh kushtesh, të cilat nuk plotësohen aktualisht nga pothuajse asnjë nga bankat që veprojnë në Shqipëri.

Rregullorja do të forcojë kontrollin e bilanceve të bankave nga BSH dhe sipas ekspertëve, do të sjellë ngathtësi të tregut të kreditimit.

Kufizimet janë në të gjitha drejtimet dhe synojnë të detyrojnë bankat të shtojnë kapitalin ose të mos rrisin kreditimin në rast se rrezikojnë humbje nga kreditë e dhëna më herët.

Bankat në Shqipëri konsiderohen, sipas të gjitha standardeve, të mirëkapitalizuara, pasi kapitalet e vetë pronarëve të bankave janë të barabarta me 17 për qind të totalit të bilancit të sistemit.

Megjithatë, BSH ka vendosur rregulla shtesë, të cilat synojnë të detyrojnë secilën prej bankave më vete të mos rrezikojnë paratë e depozituesve.

Sipas rregullores, aksionerët e bankave duhet të investojnë në to kapitale më të mëdha se sa norma e kredive të këqija, ndërsa bankat nuk do të lejohen më të marrin investime të rrezikshme në bondet e vendeve në zhvillim.

Top Channel