Shqiptarët që zakonisht u mbeten besnik me fanatizëm bimëve të tyre natyrore, po gjenden në vitet e fundit nën efektet e një bime me origjinë të huaj që ka efekte magjike: Aloe Vera.

Hysni Dankshi është mjeku alternativ që i ka kushtuar punën e tij kërkimore kësaj bime dhe efekteve të saj në një pafundësi sëmundjesh.

“Ishte dhuntia, pasioni dhe vullneti im që të meresha me bimësinë, të përgatisja ilaçe dhe të shëroja të sëmurin, pacientin”, shpjegon Hysniu.

Natyra shqiptare ofron një pafundësi varietetesh të bimësive dhe doktor Dankshi i ka studiuar pothuajse të gjitha. Por dicka rreth një dekade më parë ndryshoi cdo gjë.

“Unë si mjek alternativ studiova shumë për këtë bimë, për Aloe Verën dhe sjellim në Shqipëri produktet e saj prej shtatë vitesh. Ndoqa shumë emisione televizive dhe më erdhën nga Gjermania disa kaseta të perkthyera për ‘bimën e jetës’”, thotë Hysniu.

Besimi mbi këtë bimë ishte shumë i madh dhe për të ishte si një dashuri me shikim të parë.
 
“Këtu në Shqipëri e kam aplikuar fillimisht mbi një djalë 25 vjeç nga qyteti i Shkodrës që kishte probleme alergjike dhe humbje të imuntetit, kur e përdora tek ky pacient rezultatet ishin të përkryera”, tregon Hysniu.

Mirëpo kjo bimë është bërë një epidemi e vërtetë, jo në kuptimin mjekësor të termit. Moza Petani ka lidhur gjithashtu jetën me produktet që kanë në bazë Aloe Verën.

“Kam që në fillim të viteve 90. Atëherë kam dëgjuar për herë të parë. Kam qënë jashtë, jo këtu”, rrëfen Moza.

Sot çdo produkt në të gjithë botën ka pak nga bima e konsideruar si e mrekullueshme.

“Aloe Vera janë 3000 lloje. Njeriu përpara se ta mari për ta konsumuar duhet të konsultohet”, thotë Vera.

Por pavarësisht mrekullive që thuhen me këtë produkt duhet pasur shumë kujdes.

“Cdokush do duhet të konsultohet se nga vjen produkti, ku prodhohet, sepse ka shumë kompani që e prodhojnë”, shpjegon Moza.

Top Channel