“Eurobondet”, qeveria ne veshtiresi per te paguar borxhin

25/05/2010 16:20

Qeveria dështoi të marrë borxh në tregun ndërkombëtar përpara datës 28 maj, që është dhe afati i fundit i shlyerjes së kredisë së shtrenjtë të marrë një vit më parë nga dy banka private.

Burime nga financat i thanë Top Channel se emetimi i eurobondeve me vlerë deri në 400 milionë euro është shtyrë në një afat të pacaktuar për shkak të krizës që po kalojnë tregjet europiane të financave.

Dështimi i eurobondit e detyron Shqipërinë të paguajë edhe për 6 muajë të tjera interesat e larta për kredinë sindikale që morri për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, një vit më parë. Kredia 200 milionë euro ka një normë interesi që për vitin e parë arrin mbi 14 për qind duke përfshirë dhe komisionet që dy bankat e huaja i kanë mbajtur qeverisë. Kjo do të thotë se për 6 muajt e ardhshëm Shqipëria do të paguajë edhe 10 milionë euro të tjera vetëm për interesat e kësaj kredie, të cilën qeveria kishte planifikuar ta shlyente, me paratë që do të merrte nga emetimi i eurobondit. Por pagesat e larta të interesave  mundet të mos jenë kostoja e vetme nga dështimi i Eurobondit.

Në katër muajt e parë të vitit, të ardhurat nga taksat ishin 80 milionë dollarë më të ulëta nga plani. Deficiti buxhetor, diferenca mes shpenzimeve që ka bërë qeveria dhe të ardhurave që ajo ka mbledhur për katërmujorin ishte 87 për qind më i lartë se sa ishte parashikuar në buxhet dhe për ta mbuluar atë qeveria është detyruar të marrë borxh nga bankat vendase 8.5 herë më shumë nga sa kishte parashikuar.

Top Channel