PD: PS t’i drejtohet Kushtetueses

16/05/2010 19:45

24 orët e fundit po i ngjajnë gjithnjë e më shumë një lufte nervash mes socialistëve dhe demokratëve për mënyrën sesi duhet të zgjidhet situata e bllokuar politike në vend.

Palet bien dakort për të ndarë kutitë e materialeve zgjedhore nga kutitë e votimit, por jo për mënyrën sesi duhen trajtuar kutitë e votimit.

Propozimin e kryesocialistit Edi Rama për të ruajtur kutitë e votimit deri kur të merret një opinion nga Komisioni i Venecias, demokratët e kanë trajtuar si propozimin anti-ligjor të radhës, që sipas tyre shkon me propozimin e Këshillit të Europës, të Gjykatës Kushtetuese, Kolegjit Zgjedhor dhe të pikës 6 të nenit 178 në Kodin Elektoral.

“Kodi Zgjedhor, me këtë nen, i cili bazohet në parimet themelore të Kushtetutës së vendit, ka percaktuar qartë të gjitha qëndrimet e detyrueshme ligjore, që mbahen ndaj materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit. Duke sanksionuar se është KQZ ai që hap kutitë e votimit dhe se hapja e kutive të materialeve zgjedhore dhe dërgimi e tyre ne arkivë, për arsye themelore kushtetuese, shoqërohet me asgjësimin e fletëve të votimit. Cdo qëndrim tjetër i ndryshëm është anti-ligjor dhe anti-kushtetues”, tha kreu i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi.

Pas këtij qëndrimi, reagimi i socialistëve ishte i pritshëm. Ata kërkojne pranimin e propozimit të tyre për trajtimin e kutive të materialeve zgjedhore pa djegur fletët e votimit, në të kundërt protesta e opozitës do të jetë e pandalshme.

“Ju zotëri nuk mund të ndalonin transparencën, nuk mund ta ndaloni hapjen e kutive, nuk mund ti shmangeni një zgjidhje në të mirën e vendit. Ju nuk na zmbrapseni dot, as me presione, as me shurdhëri dhe as me justifikime qesharake, që po bëhen përditë e më të neveritshme përballë qëndresës sonë stoike. “Hapni kutitë ose largohuni” Kjo protestë nuk ndalet, kjo protestë nuk mbaron veçse duke fituar. Kauza jonë nuk mund veçse të fitojë”, deklaron deputeti socialist, Eduart Shalsi.

Por, duket se paralajmerimet e socialistëve, nuk janë impresionuese për demokratët. Shefi i kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi, një nga hartuesit e Kodit Elektoral dhe të ndryshimeve kushtetuese, si dhe një nga negociatorët kryesore me opozitën një vit më parë, në një intervistë për Top-Channel bën këtë përkufizim për mënyrën sesi duhet të kryhen negociatat mes palëve.

“Nuk është një mnëyrë negocimi brenda parametrave demokratikë që të negociohet dhe të arrihet kompromisi nën presion. E kuptoj që janë përpjekje për t’u kacavjerrë me thonj mbi xham. Zoti Rama, ndoshta ka parasysh që jemi përpara një ruleti rus dhe jo përpara një tavoline negocimi dhe nëpërmjet ushtrimit të presionit nga rruga mbi insitucionet, qoftë Parlamentin, qoftë Gjykatën Kushtetuese apo edhe Komisionin e Venecias, kërkon me cdo kusht të marrë një opinion miqësor për propozimin e tij, që në cdo rast, bie ndesh me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”, deklaron Bylykbashi.

Sipas zotit Bylykbashi, propozimi i socialistëve për të ndarë trajtimin ligjor të kutive të materialeve zgjedhore dhe atyre të votimit deformon propozimin e Këshillit të Europës dhe shkel hapur Kodin Zgjedhor.

E thashë që është një tentatvë për bllof dhe për të riparaqitur një propzim të vjetër me fjalë të reja. Sepse në thelb deformon thellësisht propozimin e bërë nga Këshilli i Europës. Për shkak se ata nuk bëjnë një dallim midis materialit zgjedhor dhe fletevë të votimit, ata propozojnë që cështja si e tërë t’í propozohet Komisionit të Venecias. Zgjidhja tjëtër e vetme mbetet zbatimi i plotë i nenit 178, pika 6 e Kodit Zgjedhor”, vazhdoi më tej për Top Channel Bylykbashi.

Zoti Bylykbashi, i cili, në këtë periudhë të tensionuar, është shumë aktiv në bisedime ekspertësh, tregohet i rezervuar të thotë, nëse mazhoranca ka gati ndonje propozim të ri zgjidhjeje, por nuk heq dorë nga ideja se çdo zgjidhje e ofruar për transparencë, do të duhet të jetë brenda normave kushtetuese dhe ligjore, gjë që sipas tij mbështetet nga Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës.

“Nuk mundet që një kompromis politik të zëvendësojë ligjin. Një kompromis politik mund të qëndrojë si themel mbi ligjin, por jo ta zëvendësojë atë”, përfundoi zoti Bylykbashi.

Top Channel