Banda e Durrësit, tërhiqet dëshmitarja

13/05/2010 20:20

Vajza nga Skrapari, Valbona Jaho, me statusin dëshmitare e mbrojtur nga drejtësia, ka rrëzuar këtë të enjte Prokurorinë e Krimeve të Rënda që e mbante atë si zërin më të fortë kundër të pandeheurve të bandës së Durrësit.

Gjatë gjithë ditës, në një proces me dyer të mbyllura, Jaho këmbënguli se nuk njihte asnjë nga të pandehurit në kafaz, as Lulëzim Berishën, as Indrit Taullain dhe as Indrit Doklen.

Seanca ka dalë jashtë parashikimeve kur dëshmitarja, aktualisht nën mbrojtjen e shtetit, mohoi cdo thënie që kishte deklaruar muaj më parë tek oficerët e policisë gjyqësore.

Prokuroria e Krimeve të Rënda e mbante dëshmitaren si njeriun më të rëndësishëm, që pas Adriatik Colit do të ndihmonte në dënimin e të pandehurve.

Dëshmitarja këmbënguli para prokurorit se nuk e kishte takuar dhe as që e njihte Lulëzim Berishën, ndërkohë që në dëshmine e saj të mëparshme kishte rrëfyer se Marsel Sotirin e kishte joshur dhe mandej e kishte nxjerrë në pritë për llogari të tij.

Dëshmitarja tha se njihte vetëm Klodian Saliun, ish-i dashuri i saj, i vrarë prej vitesh dhe dy persona të tjerë, edhe këta të eleminuar.

Vajza vijoi me surprizat e saj për prokurorinë duke thënë se nuk ishte mbajtur ndonjëherë peng nga anëtarë të bandës, cka solli hutimin e prokurorëve, të cilët kërkuan për pak minuta ndërprerjen e seancës.

Më pas përfaqësuesit e akuzës janë shprehur se për rrethana të tjera kërkojnë shtyrjen e procesit për javën tjetër, duke sjellë revoltimin e avokatëve që këmbëngulën pyetjen e dëshmitares.

Gjykata pranoi të shtyjë gjyqin, por avokatet e të pandehurve thanë jashtë kamerave se seanca është shtyrë për të manipuluar dëshmitaren dhe per ta trembur në mënyrë që t’i qëndrojë besnike dëshmisë së parë.

Top Channel