Rama: Konsensusi mbyt të vërtetën

12/05/2010 21:25

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka shfrytëzuar konferencën e Transparency International që po mbahet këto ditë në Tiranë, për të lështuar një mesazh të fortë politik.

“Ështe shumë e rëndësishme që të mundohemi ta tejkalojmë njëherë e mirë këtë rrjet pafund konsensusesh dhe marrëveshjesh. Gjithmonë kemi dëgjuar që të dy palët duhet të bien dakord, të dy palët duhet të gjejnë zgjidhjen e përbashkët. Kjo më kujton një diplomat të Shteteve të Bashkuara që u dërgua për të ndërmjetësuar në Amerikën Latine, i cili ka thënë një gjë të madhe. Duke u përpjekur në mënyre obsesive për të qenë neutral për gjithcka, komuniteti ndërkombëtar po mbështet pa dashur gjithmonë palën e gabuar”, është shprehur Rama.

Zoti Rama u është përgjigjur një sërë pyetjesh të të pranishmëve në konferencë, shumica e të cilëve ishin të huaj, duke evidentuar atë që sipas tij është problemi më i madh që ka sot Shqipëria.

“Ajo për të cilën ne kemi nevojë në këtë vend është zbatimi i ligjit. Ajo që ne kemi bërë për vite me radhë është reformimi i reformave dhe gjithmonë jemi përpjekur t’i zgjidhim problemet që na dalin rrugës me një tjetër reformë. Por ajo që ne përjetuam në zgjedhjet e kaluara nuk është për shkak të problemeve që kanë ligjet në letër, por për shkak të mungesës së zbatimit të tyre. Ky është problemi i madh që ne kemi”, ka deklaruar Rama.

Lideri i opozitës tha se ka vetëm një zgjidhje për të dalë nga ky rreth vicioz krizash që prej vitesh kanë mbërthyer Shqipërinë.

“Është një rreth vicioz dhe është shumë e vështirë të dalësh prej tij pa garantuar më parë dicka për të cilën ne po lufotjmë tashmë prej disa muajsh. Qe është transparenca e zgjedhjeve. Nëse qeveria e di se do i fitojë zgjedhjet cilido të jetë vullneti i vëretëtë i popullit, atëherë ajo sdo ta ketë kurrë vullnetin dhe as përgjegjësinë për të bërë gjëra të mira. Dhe unë kam bindjen se gjërat do të shkojnë edhe më keq nëse ne në këtë vend nuk do të kemi njëherë e mirë zgjedhje të besueshme. Ne kemi patur gjithmone zgjedhje që janë deformuar dhe më pas kontestuar. Kemi patur gjithmonë raporte nga faktori ndërkombëtar të tipit që këto zgjedhje ishin më të mira se ato të herës së kaluar por jo aq të mira sa të quhen të mira dhe kjo po vazhdon prej 20 vitesh”, ka shtuar Rama.

Top Channel