Eurobondet shqiptare me interesa jorealiste

12/05/2010 08:20

Qeveria shqiptare gjendet në garë me kohën për emetimin e eurobondeve të para sovrane të vendit para datës 28 maj, datë në të cilën do të detyrohet të paguajë këstin e radhës së interesave për kredinë sindikale të vlerës së kaluar.

Por drejtuesi i njërës prej bankave më të mëdha në Shqipëri deklaroi për agjencinë “Reuters” se interesi maksimal prej 7.5 për qind i ofruar nga qeveria “është jorealist në kushtet aktuale të tregut ndërkombëtar”.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave bënë të ditur në rrugë informale për median se plani i Shqipërisë është që të emetojë eurobonde me vlerë së paku 200 milionë euro para datës 28 maj, kur do të vijë edhe koha e shlyerjes së një kësti prej 10 milionë eurosh për interesat e kredisë me vlerë 100 milionë euro që u tërhoq ekzaktësisht një vit më parë.

Synohet që me paratë e tërhequra nga eurobondet, kjo kredi të shlyhet para kohe, gjë që do t’i shpëtojë financave publike shqiptare 3 deri në 4 milionë euro. Data e ardhshme kritike për qeverinë është në korrik, kur do të duhet të paguhen interesat për këstin e dytë të kredisë sindikale me vlerë 92 milionë euro. Në rast se qeveria i emeton eurobondet me sukses, atëherë interesi i paguar për këtë borxh mund të ulet me 30-40 për qind.

Një ligj i miratuar në Parlament dhe që autorizon qeverinë të emetojë bonde në euro, sanksionon që interesi maksimal i pranuar të jetë 7.5 për qind. “Ky është një interes jorealist në tregjet e sotme”, deklaroi drejtuesi i njërës prej bankave që janë shprehur publikisht se po mendojnë të blejnë bondet shqiptare.

Problemi qëndron në faktin se kur Shqipëria tentoi të hyjë në tregun e bondeve në euro, shpërtheu kriza e borxhit grek. Interesat e pranuara për blerjen e bondeve dhjetëvjeçare greke qenë dje 7.36 për qind, sipas të dhënave të “Financial Times”. Bondet greke kanë avantazhe të shumëfishta kundrejt atyre shqiptare. Ato vlerësohen nga Moody’s tri shkallë sipër Shqipërisë dhe megjithëse janë në territorin e bondeve të cilësisë së keqe që njihen si “junk”, pranohen si kolateral nga Banka Qendrore Europiane.

Ministria e Financave është aktualisht në pozicion pritës dhe zyrtarë të saj këmbëngulin se deri më sot vendimi për emetimin e bondeve nuk është anuluar. Shpresa qe që ndihma e BE-së dhe FMN-së për Greqinë do të qetësonte investitorët dhe do të kthente normalitetin. Të dielën udhëheqësit e BE-së goditën tregjet duke garantuar shlyerjen e bondeve të të gjitha vendeve anëtare në raste krize, por kjo lëvizje i qetësoi tregjet për vetëm 24 orë, pra vetëm ditën e hënë. Dje kaosi në bursat ndërkombëtare u rikthye. Euro ra në më pak se 1.26 dollarë, ose më ulët nga sa qe të premten e shkuar.

Megjithatë, ekspertët thonë se megjithëse qeveria ndoshta do të detyrohet të paguajë edhe këtë vit interesa të larta, sërish ajo ka kohë të mjaftueshme deri në vitin 2012, kur kredia sindikale skadon, për të dalë në treg dhe për të emetuar bonde.

Askush nuk mund të parashikojë nëse tregjet financiare do të stabilizohen brenda këtij muaji apo jo. Luhatshmëria ka qenë shumë e madhe. Të hënën, shpresat qenë të mëdha dhe ekspertët shqiptarë shpresuan për dalje të shpejtë në tregjet ndërkombëtare. Dje, situata u përmbys sërish.

Qeveria shqiptare u detyrua të marrë një kredi me interesa stratosferike prej euribor plus 9.65 për qind në maj të vitit 2009, për shkak se nuk kishte të ardhura të mjaftueshme për të shlyer detyrimet ndaj kompanisë “Bechtel-Enka”, e cila ndërtoi projektin me vlerë 820 milionë euro të rrugës Rrëshen-Kalimash.  

Në rast se qeveria i emeton eurobondet me sukses, atëherë interesi i paguar për këtë borxh mund të ulet me 30-40%
 

Top Channel