Prifti: Shqipëria do të bëhet vend eksportues nafte

10/05/2010 08:00

“Brenda katër viteve, Shqipëria do të bëhet 100 për qind e vetëmjaftueshme për naftë dhe nënprodukte të naftës dhe do të eksportojë shumë naftë”.

Ky është parashikimi i ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i bërë në një prezantim që mbajti para investitorëve në forumin Crans Montana në Tiranë. “Shumë naftë dhe gaz do të gjendet në Shqipëri në burime detare dhe tokësore, burime të reja që deri tani janë të panjohura”, tha Prifti, ndërsa paraqiste një hartë ku tregoheshin zonat e dhëna me koncesion sakaq për kërkime apo për zhvillim burimesh, si dhe zonat malore të Shqipërisë, të cilat nuk janë dhënë me koncesion për kërkim nafte, sepse nuk ka pasur kërkesa nga kompanitë e huaja.

Shqipëria mund të prodhojë këtë vit 600 mijë tonë naftë bruto, e cila mjafton për të mbuluar jo më shumë se një të katërtën e konsumit, pasi maksimalisht vetëm 30 për qind e naftës bruto të përpunuar mund të dalë naftë diesel ose benzinë. Shqipëria importoi vitin e kaluar 432 mijë tonë produkte të gatshme të naftës si diesel dhe benzinë. Për të mbuluar me prodhim vendës një sasi të tillë konsumi, do të nevojitet prodhimi i 1.5-2 milionë tonëve naftë bruto, përveç 600 mijë tonëve që po prodhohen aktualisht.

Nga ana tjetër, burimet aktuale të naftës nuk e garantojnë një prodhim të tillë për një periudhë të gjatë. Prodhimi i naftës është dyfishuar që nga viti 2003, kur kompanitë private filluan investimet për rikuperimin e burimeve ekzistuese të naftës. Gjatë dy dekadave të fundit, disa kompani të huaja, përfshirë edhe gjigantë si Occidental Petroleum kanë investuar 592 milionë dollarë në operacione kërkimi. Megjithatë, këto operacione nuk kanë dalë me sukses. “Naftë ka, por është shumë e rëndë dhe nuk mund të nxirret”, komentoi vitin e kaluar një zyrtar i austriakes OMV, kompani që kreu shpime për shumë vite në Shqipëri dhe hoqi dorë përfundimisht më 2005-n. Megjithatë, Prifti thotë se do të ketë zbulime të reja.

“Kompanitë që janë të interesuara të provojnë fatin e vet në eksplorimin e naftës mund të vijnë te ne për më shumë informacion”, u shpreh Prifti. Perspektiva nuk mungon. “Deri tani në shfrytëzimin e burimeve ekzistuese të naftës, kompanitë e huaja kanë investuar 400 milionë dollarë, ndërsa deri në vitin 2012, është parashikuar të investohen edhe 305 milionë dollarë të tjera”, shtoi ai. “Bankers Petroleum e nisi punën disa vite më parë me një vlerë tregtare prej vetëm 20 milionë dollarësh, ndërsa vlera e kësaj kompanie në bursë sot është 2.5 miliardë dollarë. Ato po shfrytëzojnë zonën e Patos-Marinzës, një nga më të mëdhatë në Europë. Është naftë e rëndë, por është një nga më të mëdhatë”, shtoi ministri në prezantim.

Në nëntokën shqiptare në vitin 2008 vlerësohej se kishte 5 miliardë fuçi nafte. Vlerësimi i ri tregoi se mund të ketë mbi 6 miliardë fuçi nafte. Por ky është vetëm një tregues shkencor, pasi me teknologjinë ekzistuese, më pak se 5 për qind e asaj që gjendet në nëntokë mund të nxirret. Rezervat e sigurta u vlerësuan në dhjetor 2009 në 93 milionë fuçi, ose 34 për qind më shumë se një vit më parë. Rezervat e sigurta, plus ato të mundshme u vlerësuan në 214 milionë fuçi me rritje 19 për qind. Ky është edhe treguesi që merret më shumë parasysh nga investitorët e kësaj fushe. Rezervat e sigurta, ato të mundshme dhe ato të hamendësuara ishin 422 milionë fuçi, me rritje 36 për qind në krahasim me vlerësimin e mëparshëm.

Në të gjithë historinë e vet, Shqipëria ka arritur vetëm në pak vite të prodhojë mbi 2 milionë tonë në vit, ndërsa pas viteve ‘90, prodhimi është ulur deri në 300 mijë tonë në vit.

Top Channel