Kritikohet projektligji i qeverisë

10/05/2010 08:10

Shqipëria po përpiqet të nxisë investimet e huaja në vend përmes dhënies së një statusi të posaçëm ligjor, që i jep imunitet nga disa lloje problemesh gjyqësore që mund të hasin, por një shoqatë biznesi mendon se një praktikë e tillë po i trajton investitorët vendës si kompani të dorës së dytë.

“Konfindustria, duke marrë shkak nga miratimi i Këshillit të Ministrave të ligjit ‘Për investimet e huaja’, sipas të cilit privilegjohen ndjeshëm investitorët e huaj në krahasimim me investitorët vendas në të gjitha marrëveshjet e dyanshme me palë të treta, ku njëra palë është shteti shqiptar, shprehet parimisht në mbështetje të plotë të projektligjit, nëse fusha e tij e zbatimit do të përfshinte të gjitha llojet e investitorëve pa dallim të vendit të origjinës së kapitalit”, deklaroi dje administratori i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku.

Projektligji i jep status ekstraligjor investitorëve të huaj pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për investime strategjike apo për investime të zakonshme. Për më tepër, projektligji konsideron çdo investitor të huaj si “interes publik” dhe ngarkon qeverinë me të drejtën për të shpronësuar dhe kompensuar subjektet që mund të kenë konflikt pronësie me një kompani, vetëm e vetëm se kjo kompani mund të ketë origjinë kapitali nga një vend tjetër.

Koncepti i shpronësimit nga shteti për llogari të një privati hyri në Shqipëri me anë të ligjit të legalizimeve. Gjykata Kushtetuese ka shpallur se në rastet kur investimi privat është një interes publik i përmasave të mëdha, atëherë është në përputhje me Kushtetutën përdorimi i parave të taksapaguesve për të shpronësuar pronarin e tokës. Tani qeveria thotë se ka të drejtë të veprojë në këtë mënyrë në të gjitha rastet kur bëhet fjalë për një investitor të huaj, pa përkufizuar më parë se çfarë nënkupton interesi publik dhe pa marrë parasysh përmasat e investimit.

“Projektligji parashikon heqjen e së drejtës së gjykatave shqiptare për pezullimin dhe/ose ndërprerjen e investimit të huaj dhe deri fillimin e procedurave të shpronësimit për interes publik të pasurive të patundshme të kërkuara ligjërisht me rrugë gjyqësore nga palë të treta. Ndërkohë, që një e drejtë e tillë thelbësore nuk jepet për investitorët shqiptarë të ndodhur në të njëjtat kushte”, vijon më tej deklarata e Buxhukut.

Problemet me qartësinë e titujve të pronësisë kanë qenë shqetësimet kryesore të investitorëve vendës dhe të huaj. Shumë prona kanë regjistrime të gabuara apo janë të mbivendosura në hipoteka, si pasojë e parregullsive të akumuluara në dy dekadat e fundit në këtë sistem. Por në vend që të zgjidhë problemet e vërejtura në hipoteka, qeveria ka vendosur t’i trajtojë me statusin e ambasadorit të gjitha investimet e huaja.

Konfindustria në analizën e vet paralajmëron edhe një rrezik tjetër. Atë që kapitali i biznesit shqiptar të regjistrohet në ndonjë nga parajsat fiskale si Qipro dhe të vijë në Shqipëri si investim i huaj vetëm për të fituar status ekstraligjor.

“Nëse do të jepnim mbrojtje të veçantë ligjore vetëm për ‘investitorët e huaj’ në raport me vendorët do të krijonim prishje të konkurrencës tregtare, largim të kapitaleve jashtë vendit, pengim të nismave investuese në vend. Për më shumë, nëse e vlerësojmë në thellësi, termi “investim i huaj” mbetet pa kuptim në kushtet e integrimit të tregjeve dhe shteteve përfshi dhe Shqipërinë dhe si rrjedhim zbatimi i PL do të ishte i pazbatueshëm, sepse jepen shtysa të forta për daljen e kapitalit shqiptar jashtë vendit në mënyrë artificiale për t’u rikthyer në vend vetëm me statusin e privilegjuar të ‘investitorit të huaj’”, thotë Buxhuku në deklaratën e tij.

Top Channel