Ndryshohet ligji i faljes

05/05/2010 20:25

Ligji i faljes, mbi të cilin presidenti i Republikës ushtron kompetencën e faljes së dënimit për të burgosurit, është ndryshuar nga qeveria, gati 3 vjet pas hartimit të tij.

Ky ligj, që ka patur një ndryshim jo thelbësor 17 vjet më parë, është ligj i vitit 1981, kur kryeminister i vendit ishte Mehmet Shehu dhe në nenin 5, i cili është edhe neni i fundit i ligjit, flitet për dënimet me vdekje, një ndëshkim që shqipëria e ka të ndaluar me Kushtetutë.

Duke folur për vjetërsinë e ligjit, kryeministri Berisha tha se ndryshimet jo vetëm përcaktojnë kriteret për kategoritë që përfitojnë ose jo nga ligji i faljes, por përforcon të drejtën kushtetuese të presidentit për faljen.

Një nga ndryshimet thelbësore të ligjit për faljen, i ushtruar pak kohë më parë nga presidenti për gati 1/10-ën e të dënuarve në burgjet shqiptare, është centralizimi i propozimit për faljen nga disa institucione tek ministri i Drejtësisë.

Kjo do të thotë se ministri i Drjetësisë do të jetë personi i vetëm i cili do të ketë të drejtën t’i propozojë presidentit listën e të dënuarve që përfitojnë nga falja.

Sipas ndryshimeve, disa nga kategoritë që mund të përfitojnë nga ndryshimet janë: të miturit në kohën e kryerjes së veprës penale, të dënuarit për të cilët nuk justifikohet vazhdimi i dënimit për shkak të moshës ose sëmundjes, të dënuarat shtatëzënë ose me 2 fëmijë të mitur, ose personat që kanë kryer 1/3 e dënimit të dhënë.

Disa nga kategoritë që nuk përfitojnë nga ligji për faljen janë: personat e dënuar por që janë në kërkim, veprat penale kundër grave shtatëzëna ose të miturve, të dënuarit për krime lufte, genocide dhe krime kundër njerëzimit.

Top Channel