Është e djelë, fundjava e fundit e muajit prill. Ajo që do të shkojmë të bëjmë sot quhet rafting dhe këto mjete lundruese që kanë marrë impenjimin e lavdërueshëm të këtyre të rinjve janë gomonet me të cilat do të udhëtojmë nëpërmjet njërës prej luginave më të bukura në Shqipëri: kanioneve të Osumit.

Gjithçka është gati. Na ndajnë vetëm 1.30 minuta nga pika nga ku më pas do të nisë edhe aventura jonë drejt të panjohurës. Automjeti me të cilin udhëtojmë çan rrugën herë-herë të paasfaltuar, ndërsa kërshëria për atë që na pret sa vjen edhe rritet.

Mulliri i Babait. Kemi mbërritur në fshatin Hambull. Komandanti i grupit është Zamir Spathara. Ai është edhe president i shoqatës sportive “Albania Rafting Grup”.

“Janë rreth 14 kilometër që do të përshkuajmë sot. Është shumë e rëndësishmë që t’u kujtoj se është e detyrueshme që kaskat të mos hiqen asnjëherë sa të mbarojmë udhëtimin, asnjë nga ju nuk duhet të vendos lopatën në shkëmb sepse dora kthehet mbrapa dhe dëmton shokun që ke në krahë. Nuk ka asnjë problem, ne e kemi bërë me qindra herë këtë gjë, është pothuajse si një udhëtim i zakonshëm, por për ju është i veçantë sepse do të jetë një gjë që nuk e keni parë ndonjëherë”, shprehet Zamiri.

Pjesa më e madhe e të rinjve që i janë bashkuar sot grupit, vijnë për herë të parë në kanion. Ata kanë lënë pas smogun e qytetit ku jetojnë, me qëllimin e vetëm, për të qenë dëshmitarë okularë të një udhëtimi të paharrueshëm si ky që i pret pas pak.

Era Çaushi, është një nga vajzat pjesëtare të grupit. Edhe ajo shkel për herë të parë në luginë. Profesioni i saj është aktrimi, por sot ajo ka vendosur të luajë një rol jo fort të lehtë.

“Kam emocion dhe jo frikë. Është një gjë e panjohur për mua dhe si çdo e panjohur ka frikën brenda, por rezultatin e di që do jem shumë e lumtur në fund”, thotë Era.

Tani nuk ka më kthim pas. Jemi gati për të shijuar menunë që na ofron mëma natyrë.

Frika dhe emocioni ndihen kudo. Lopatat rrahin shpejt ujin, ndërsa rrahjet e zemrës sa vijnë dhe bëhen më të shpeshta.

Dhe ja ku duket mrekullia e parë. Ngjan të jetë gjithçka e punuar nga dora e njeriut, por në fakt nuk është kështu. E gjithë kjo kryevepër arkitekturore ka vetëm një autor: natyrën.

“Sapo kemi kaluar ujëvarën e tretë që është edhe më e bukura. Kemi kaluar pothuajse çerekun e udhëtimit”, shprehet Zamiri.

Dhe ja ku duket ujëvara e parë, të cilën zbuluesit për shkak të formës që ajo ka, e kanë pagëzuar si Ujëvara e Shampanjës.

Deri më tani të gjithë duken të kënaqur, por kujdes aventura sapo ka filluar. Ajo që do të përjetojmë vetëm pas pak çastesh është edhe kuptimi i të qenit tonë këtu.

20 minuta ngjitur mbi një shkëmb. Gomonia që ka ikur me lumin dhe ndjesi të përziera si një kokteil ku ka edhe një dozë të lartë adrenaline. Duket sikur gjithçka është e porositur apostafat dhe kjo paçka frikës që na pushtoi ishte pikërisht ajo që ne dëshironim.

“Nuk di se cfarë kam ndjerë në ato momente. Fillova të përgatis një skenar timin”, thotë Era.

Kjo ishte një sprovë e vërtetë kurajoje dhe çmendurie njëkohësisht.

Jemi vetëm në gjysmë të udhëtimit dhe kemi ende shumë gjëra për të parë. Tani vija lumore vjen më e qetë. Pas gjithë asaj që kaluam një pushim do të ishte mëse i nevojshëm.

Sharls udhëtoi nga Zvicra me gomonen e tij. Ai është biznesmen dhe kur të kthehet në atdheun e tij do të ketë shumë gjëra për të biseduar mbi kanionin dhe bukuritë e tij.

“Fillimisht unë kam ardhur në Tiranë në muajin shkurt dhe vetëm pas dy muajsh jam kthyer sërish sepse më kishin rrëfyer për këtë kanion të mrekullueshëm. Kjo është hera e dytë që unë vij këtu dhe unë jam shumë i kënaqur me këtë rafting. Kam parë shumë vende, por ky kanion është një gjë e veçantë. Jam i sigurt se do të vijë edhe herë të tjera”, thotë Sharlsi.

Udhëtimi ynë përfundon këtu në hyrje të qytetit të Ccorovodës, por impresionet tona mbi këtë rrugëtim fantastik do të mbeten gjatë në kujtesë. Kur të kthehemi në banesat tonë të gjithë do të kemi çfarë të themi.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA