“Shqipëria ka borxh publik shumë të lartë”

21/04/2010 08:00

Borxhi publik i Shqipërisë është një nga më të lartit mes 125 vendeve të analizuara nga konsulenti ndërkombëtar “Standard & Poor’s”, në raport me të ardhurat e qeverisë.

Lajmi bëhet i ditur nga “S&P”, e cila publikoi vlerësimin e parë mbi gjendjen financiare të Shqipërisë dhe aftësisë së vendit tonë për të marrë kredi në tregun ndërkombëtar.

“Financat publike shqiptare karakterizohen nga borxhi vazhdimisht i lartë i qeverisë, pavarësisht rritjes shumë të fortë ekonomike. Borxhi i përgjithshëm i qeverisë, i emetuar në dy të tretat në monedhën vendëse, parashikohet të jetë i barabartë me 57 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të 2010-s. Për më tepër, borxhi është 2.2 herë më i lartë se të ardhurat vjetore të qeverisë dhe ky është një nga borxhet më të larta mes vendeve që ne vlerësojmë”, – thotë “S&P” në deklaratën për shtyp të publikuar dje në faqen zyrtare në internet.

Ministria e Financave publikoi lajmin mbi daljen e opinionit të “Standard & Poor’s”, por nuk përmendi problemet e vërejtura nga vlerësuesi në lidhje me borxhin publik.
 
Borxhet afatgjata në valutë të huaj u vlerësuan nga “Standard & Poor’s” me notën B plus, si dhe B për borxhet afatshkurtra qoftë në monedhë të huaj, qoftë në monedhën vendëse lek. Për të gjitha vlerësimet, pritshmëria është e qëndrueshme. Borxhet e vlerësuara me B plus konsiderohen “junk” apo tituj borxhi me rrezikshmëri të lartë. Sipas metodologjisë së “S&P”, borxhet e shteteve me këtë vlerësim kanë situatë financiare që ndryshon me shpejtësi. Pavarësisht kësaj, Ministria e Financave e konsideroi lajm të mirë deklaratën e “S&P” dhe njoftoi se ka në plan të emetojë eurobondin e parë “brenda dy javëve të ardhshme.”

“Vlerësimi i ‘S&P’ i paraprin daljes së Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të kapitalit në dy javët e ardhshme, me eurobondin e saj të parë. Një vlerësim pozitiv dhe stabël i riskut të vendit, është shumë i mirëpritur nga tregjet dhe pritet të gjenerojë një kërkesë të lartë për blerjen e instrumentit të eurobondit”, deklaroi Ministria e Financave. 

“Standard & Poor’s” është një kompani amerikane e themeluar në vitin 1860 dhe ofron vlerësime mbi besueshmërinë e kredimarrësve në të katër anët e botës. Vlerësimet e saj përcaktojnë shpesh edhe interesat që këto vende paguajnë për borxhet e veta. Qeveria shqiptare ka angazhuar dy ndërmjetës ndërkombëtarë për të reklamuar dhe shitur tituj borxhi në euro me vlerë rreth 400 milionë euro, por marrëveshja e ndërmjetësimit saktëson që interesi i paguar nuk duhet të jetë më i lartë se 7.5 për qind për bonde me afat maturimi pesë vjet. Qeveria ka shprehur dëshirën të emetojë eurobonde që prej katër vitesh tashmë, por ka dështuar në të gjitha rastet. 

“S&P” thotë se rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë rreth 2-3 për qind, por lajmi i mirë është që sipas vlerësimit, potenciali i rritjes ekonomike të Shqipërisë prej 5-6 përqindësh pritet të rikthehet në vitin 2011.

“Vlerësimi për Shqipërinë është i përmbajtur sipas mendimit tonë për shkak të mirëqenies relativisht të ulët, borxhit të lartë publik në raport me të ardhurat e qeverisë, vulnerabiliteteve të jashtme në rritje, deficitit të llogarisë korrente vazhdimisht të lartë dhe klimës së paqartë politike”, deklaroi analisti Marko Mrsnik i “S&P”. “Nga ana tjetër vlerësimi mbështetet nga rritja solide ekonomike e vendit dhe sipas mendimit tonë, potencialit të lartë afatgjatë. Shqipëria ka një kuadër ligjor që i jep prioritet në mënyrë eksplicite pagesës së borxheve, ndërsa vendi ka edhe perspektivë afatgjatë për anëtarësim në Bashkimin Europian”, shton Mrsnik. 

 

Top Channel