Topi vlerësoi diplomacinë kosovare

20/04/2010 20:40

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni u takua sot në Tiranë me autoritetet më të larta shqiptare.

Presidenti Bamir Topi vlerësoi maturinë e klasës politike kosovare në kapërcimin e sfidave per konsolidimin e institucioneve të pavarura demokratike, si dhe arritjet e deritanishme të diplomacisë së re kosovare, sidomos përsa i përket rritjes së numrit të njohjeve ndërkombëtare te Kosoves.

Në takimin me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri Hyseni tha se krahas ecurisë së njohjes së Kosovës, sfida më e madhe është anëtarësimi i saj në insitucionet ndërkombëtare, deri në anëtarësimin e plotë në OKB.

Ministri Hyseni u prit edhe nga kryeministri Berisha, të cilit i shprehu urimet më të ngrohta për dorëzimin e përgjigjeve të pyetësorit, duke e cilësuar këtë një ngjarje historike e madhore për Shqipërinë, por edhe për mbarë kombin shqiptar.

Po ashtu, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës e informoi kryeministrin e Shqipërisë edhe për fillimin e punimeve për rrugën Morinë-Merdare, pjesë e rrugës së kombit që kalon nëpër Kosovë.

Top Channel