Legisi: Kam qënë dhe jam një socialist

19/04/2010 21:40

“Gjatë gjithe kësaj kohe kam qënë dhe do vazhdoj të jem një socialist”. Me këtë fjali e ka nisur bisedën në “Shqip” i rikthyeri në Partinë Socialiste, Ndre Legisi pas largimit nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Sipas tij, ata që nuk e ndienin veten socialistë, sot janë në krah të Sali Berishës. “Ndenjëm një periudhë të gjatë kohe duke peshuar situatën politike dhe une bashkë me Mustafa Mucin u bashkuam me PS-në, ndërsa Xhufi e Klosi i kane dhënë deklaratat e tyre në lidhje me pozicionin që do mbajnë”, shton Legisi.

Ai deklaroi gjithashtu se nuk u heq asnjë presje deklaratave të bëra si para dhe pas zgjedhjeve, ashtu edhe para e pas vitit 2005. “Pas kongresit të famshëm të PS-së pati shumë probleme që kishin të bënin me jetën demokratike të partisë. Në 2005-ën ne ishim shumë të ndershëm sepse u thamë qytetarëve shqiptare: jemi kundër Fatos Nanos. Vazhdoj t’u qëndroj kritikave kundër Ramës dhe bej pjesë në ata njerëz që i them se vlera e një lideri është të ruajë vlerat e partisë. Kur pashë shqetësimin e Berishës për shkatërrimin e PS-së, thashë që të shkoja në PS dhe të jepja një kontribut më shumë për socialistët”, shton i rikthyeri në selinë rozë.

Legisi theksoi gjithashtu se koalicioni opozitar është më i bashkuar se kurrë dhe shumë solid.

Top Channel