Hiri nuk prek Shqipërinë

19/04/2010 19:45

Reja vullkanike të paktën edhe për 24 orët e ardhshme nuk parashikohet të ketë tendencë drejt territorit shqiptar.

Sipas meteorologëve, të cilët po monitorojnë hapësirën ajrore, tashmë reja po shpërndahet në perëndim dhe lindje të Europës.

“Reja vullkanike ka përfshirë një pjese të Evropës, por fluksi i erërave drejt Mesdheut bllokoi përhapjen e këtyre rrymave nga Islanda, të cilat tani nuk kanë një spostim drejt jugut”, deklaron meteorologia Genta Stafa.

Ndërkohë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë deklarohet se grimcat e kësaj reje, e cila ndodhet shumë lart, ndikon shumë pak në organizmin e njeriut.

Më të ndjeshëm mund të jenë ata që vuajnë nga sëmundje kronike të rrugëve respiratore. Por nga sa parashikohet, shqiptarët përvec kaosit te krijuar me linjat e fluturimit, nuk do të vuajnë probleme të tjera të resë vullkanike.

Masat ajrore të ngrohta duket se e kanë spostuar atë drejt perëndimit. Meteorologët parashikojnë mot te paqendrueshëm në këtë fillim jave.

“Fillimi i javës nisi me shtrengata, që u përhapën në të gjithë territorin. Kështu do vazhdojë edhe të martën, kur në darkë situata do të ndryshojë. Moti do karakterizohet nga kthjellime dhe vranësira”, ka shtuar Stafa.

Mesi i javës do të sjellë mot të qëndrueshem, por vranësirat dhe reshjet sipas meteorologëve do të kthehen sërish.

Top Channel