Përmbytjet, uji kërcënon sërish Nënshkodrën

18/04/2010 10:10

Zona e Nënshkodrës sërish nën ujë. Sipërfaqe të mëdha toke dhe dhjetëra shtëpi po rrezikohen të përmbyten, ndërkohë që në disa zona ka nisur evakuimi i banorëve.

Situata e përmbytjeve është rikthyer frikshëm pasditen e djeshme pas rritjes së nivelit të lumenjve Buna dhe Drin nga shkarkimet e hidrocentraleve që ndodhen mbi kaskadën e lumit Drin. Shkarkimet kanë arritur deri në 1100 m3 ujë në sekondë, ndërkohë që zona më e prekur është fshati Ashtë, i Komunës Bushat, i cili ndodhet buzë lumit Drin.

Prurjet e ujit, që janë rritur ndjeshëm edhe nga shkarkimet që po bëhen nga Vau i Dejës, kanë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke. Ndërkohë që 10 shtëpi po rrezikohen të përmbyten nga momenti në moment, pasi lumit Drin tashmë i duhen vetëm 4 metër që të hyjë në shtëpitë e banorëve të kësaj zone.

Situata paraqitet serioze edhe në zonat e Obotit dhe Dajçit, ku prurjet e lumit Buna që furnizohen nga lumi Drin kanë nisur të dalin mbi sipërfaqen e tokave.

Ndërkaq, situata e krijuar ka bërë që në Prefekturën e Shkodrës të mblidhet për të tretën herë shtabi i emergjencës. Masat e para kanë qenë dërgimi i disa çadrave për banorët e fshatit Ashtë, ndërkohë që është vendosur evakuimi i banorëve më në brendësi të fshatit, ku do të jenë më të sigurt.

Sapo ka marrë informacionin e parë, drejt Shkodrës ka udhëtuar kreu i Emergjencave Civile, Alfred Olli, i cili ka inspektuar nga afër situatën e krijuar. Në një komunikim me mediat, Alfred Olli është shprehur se po shikohet mundësia për largimin e banesave dhe ndërtimin e tyre në zona më të sigurta.

“Nëse specialistët pohojnë se kjo zonë do të jetë sërish e rrezikuar, atëherë do të vendoset që këto familje të largohen përfundimisht nga këto shtëpi dhe banesat të ndërtohen në një vend tjetër. Ne jemi këtu që t’u garantojmë se shumë shpejt do të nisë edhe llogaritja e dëmit për tokën bujqësore që ka rrëmbyer lumi Drin”, është shprehur kreu i Emergjencave Civile, Alfred Olli.

E ndërsa Nënshkodra dhe periferia e qytetit ende nuk është tharë nga dy përmbytjet radhazi të këtij fillimviti, duket se një përmbytje e tretë  po rrezikon sërish banorët e zonës.

Top Channel