PS: ‘Jo’ dhunës ndaj fjalës së lirë

15/04/2010 18:20

Deputetët socialistë protestojnë para godinës së parlamentit kundër dhunës ndaj fjalës së lirë në legjislativin shqiptar.

Të grumbulluar para hyrjes kryesore, deputetët socialistë kanë vendosur të bojkotojnë punimet e kuvendit për dy javë në shenjë proteste ndaj masës ndëshkimore të marrë për deputetin Taulant Balla dhe tërheqjes së vemendjes për deputetin tjetër socialist Sajmir Tahiri.

Në emër të tyre e mori fjalën deputeti Namik Dokle, i cili akuzoi qeverinë se po ushtron presion ndaj cdo qytetari që kërkon të thotë hapur atë që mendon.

“Dhuna ndaj fjalës së lirë po demonstrohet edhe në parlament.Kjo qeveri shkel kushtetutën dhe ne do ta themi të vërtetën para opinionit ndërkombëtar sepse fjala e lirë është thelbi i parlamentarizimit dhe opozita nuk do ta lejojë këtë ekzekutiv që të veprojë në këtë mënyrë”, u shpreh Dokle.

Sipas tij, qeveria kërkon të manipulojë cdo gjë në vend, por bashkë më popullin, opozita do të luftojë për të cliruar fjalën e lirë që është lidhur me zinxhirët e parlamentit të manipuluar.

Top Channel