Presidenti i Republikës, Bamir Topi në krye të një delegacioni zyrtar ka filluar sot në mbrëmje një vizitë zyrtare të Republikën e Maqedonisë.
Kjo nuk është vizita e parë e Presidentit Topi në Maqedoni, por është vizita e tij e parë zyrtare në këtë republikë fqinje. Presidenca shqiptare e cilëson vizitën si mjaft të rëndësishme. Kjo duket edhe nga axhenda e ngjeshur, e cila parashikon për nesër një takim me Presidentin Gjeorgje Ivanov dhe një konferencë të përbashkët shtypi.
Më pas do të ketë takime të posacme me kryeministrin Nikola Gruevski, kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski dhe më e rëndësishmja, një fjalë përpara deputetëve maqedonas në sallën plenare të Parlamentit. Një fjalim që do të përfshijë të tëra aspektet e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase.
Më pas do të vijojë me vizitë në shtëpinë e Nënë Terezës, te monumenti i Skënderbeut dhe me takime të vecanta me faktorin shqiptar. Shumë e ngjeshur do të jetë edhe dita e dytë e vizitës.
Pas përshëndetjes në forumin ekonomik shqiptaro-maqedonas, Presidenti Topi do të vizitojë Tetovën, ku në Universitetin e Tetovës do t’i jepet titulli “doctor honoris causa”. Kurse në qytetin e Dibrës, komuna do t’i akordojë titullin “qytetar nderi”.
Top Channel