Xhafa: PS, model i partisë funksionale

08/04/2010 21:55

Deputeti socialist Fatmir Xhafa ka deklaruar se statuti brenda PS nuk është cështja kryesore që duhet të dominojë sot në arenën politike shqiptare.

Megjithatë, duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Xhafa është shprehur se PS ndodhet në një situatë shumë më të mirë se sa PD, e cila po vuan nga një luftë e brendshme.

“Nuk mendoj se statuti është cështja parësore që duhet të dominojë sot. Se si është një parti në demokracinë e saj të brendshme është edhe vetëqeverisja e saj. Ne kemi dy modele: atë të demokracisë funksionale dhe atë kur Partia Demokratike barazohet me individin. Ne flasim për një parti që brenda 3-4 muajsh ka bërë 3 asamble, ndërsa nga ana tjetër kemi një PD që me zorr ka mbledhur kongresin e saj dhe nuk mbledh dot kryesinë për postet e brendshme, për shkak të luftës që ka në radhët e saj”, ka pohuar Xhafa.

Sipas tij, përparësi duhet të jetë analiza e krizës politike, mbi të cilën strukturat e Partisë Socialiste kanë reflektuar.

“Përparësinë ne kemi të drejtë ta caktojmë. Ka dy tema, analiza rreth krizës politike, që është dhe gjëja më e rëndësishme dhe tema tjetër se si PS do t’i përgjigjet kësaj. Ne pas zgjedhjeve të 28 qershorit kemi një proces analize, reflektimi dhe përmirësimi në dy rrafshe, në raportin me shoqërinë dhe në një rrafsh të brendshëm”, ka nënvizuar Xhafa, duke shtuar se pjesë e këtij reflektimi janë edhe ndryshimet statutore.

“Pjesë e këtij reflektimi janë edhe ndryshimet statutore. Në këtë statut është ndryshuar modaliteti i administrimit në nivel vendor të partisë. Për mënyrën se si iu përshtat PS ndaj këtij sistemi elektoral, ne kuptuam që kemi nevojë të reflektojmë. Por nuk ka asnjë ndryshim të kësaj natyre brenda PS-së. Mes statutit të vitit 2003 dhe atij të sotëm nuk ka asnjë ndryshim”, ka shtuar Xhafa.

Top Channel