Financimi i bashkive, BB: Vonesa nga qeveria

08/04/2010 21:05

Banka Botërore ka sqaruar publikisht pozicionin e saj në lidhje me konfliktin e fundit mes qeverisë dhe disa bashkive të majta për anulimin e fondeve të një projekti që parashikonte investime në infrastrukturën e këtyre bashkive.

“Vitin e kaluar, Banka i kërkoi qeverisë të bënte ndryshimet e nevojshme për përshpejtimin e zbatimit, por progresi nuk ka qenë domethënës. Fondet e papërdorura të Bankës kanë një kosto për vendin, sepse bllokohen burimet që mund të ishin përdorur më mirë diku tjetër. Në raste të tilla problematike, Banka i rekomandon qeverisë të anulojë financimet e papërdorura. Në rastin konkret, ishte e qartë se këto fonde nuk do të mund të shfrytëzoheshin deri në datën e mbylljes së projektit”, ka deklaruar Camille Nuamah, përfaqësuese e zyrës së BB në Tiranë.

Por cilat ishin arsyet që cuan në vonesat e projektit sipas Bankës Botërore? “E para, pati vonesa që në fillimet e projektit lidhur me krijimin e njësive të zbatimit të projektit në ministritë respektive. E dyta kishte një nevojë të qartë për të ndërtuar disa kapacitete në nivel bashkishë, që do të merreshin me vlerësimin e impakteve në mjedis dhe masat e sigurisë që përfshihen në standartet e Bankës Botërore. Dhe e fundit, nuk mund të them se nuk ka patur disa vonesa në përzgjedhjen dhe aprovimin e projekteve në Ministrinë e Brendshme. Aktualisht në ministritë e ndryshme ka metoda të ndryshme në lidhje me menaxhimin e projekteve të Bankës Botërore. Dhe unë mendoj se një nga mësimet që qeveria mund të nxjerrë është që ndoshta projektet në Ministrinë e Brendshme ishin shumë të centralizuara”, ka sqaruar Nuamah.

Projekti i menaxhimit dhe administritmit të tokës është projekti më i madh i financuar nga Banka Botërore. Projekti është i ndarë në tre blloqe dhe pjesa më problematike është blloku i tretë që do financonte investimet në infrastrukturën në 10 bashki të mëdha të vendit.

Top Channel