Sheshi, puna vazhdon…

06/04/2010 16:00

Ndonese  tre ditë më pare u gjobit me 2 milion lekë dhe iu kërkua pezullimi i menjëhershëm i punimeve nga Ministria e Mjedisit, pasi nuk kishin leje mjedisore, punimet ne sheshin ‘Skënderbej’ vazhdojnë intensivisht dhe nuk janë ndërprerë për asnjë moment.

Në një deklaratë për shtyp Inspektoriati Mjedisor i kërkoi bashkise së Tiranës të nisë procedurat për t’u pajisur me leje mjedisore dhe ndërkohë të shlyejë gjobën.

Por sipas bashkise punimet po kryhen sipas të gjitha rregullave, pasi në arkivin e Ministrisë së Mjedisit, që prej një viti, gjendet e depozituar sëbashku me relacionin përmbledhës të projektit, edhe kërkesa për leje mjedisore. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se punimet nuk do të ndërpriten, pasi nuk ka asnjë shkelje ligjore në zbatimin e projektit për sheshin ‘Skënderbej’.

Po keshtu edhe Instituti i Monumenteve të Kulturës ka miratuar lejen punimeve, për shkak se sheshi “Skënderbej” bën pjesë në kompleksin monument kulture të qendrës së Tiranës. ‘Qëllimi ynë thonë burime të bashkisë është realizimi i projektit të studios belge dhe t’i japim kryeqytetit sheshin me pamjen që i takon një kryeqyteti të një vendi që synon Bashkimin Europian.

Top Channel