Osumi, konflikt mes policisë dhe komunës

05/04/2010 09:00

Nisja e punës për pastrimin e shtratit të lumit Osum, punë e nisur nga ana e Komunës së Velabishtit, është bërë shkak për përplasje mes policisë së Beratit dhe kësaj komune.

Prej dy ditësh drejtuesit e Komunës Velabisht kanë organizuar punën me mjete që kanë ardhur në ndihmë nga firmat private për të pastruar lumin Osum nga mbeturinat, pasi kërcënohet vërshimi i ujërave të lumit në ditët me shi.

Por, mbrëmjen e së shtunës, Policia e Beratit ka ndërhyrë, duke ndërprerë krejtësisht punën dhe bllokuan automjetet.

Sipas burimeve zyrtare të organit blu beratas, shkak i bllokimit është bërë mungesa e lejes, që komuna duhet të kishte marrë pranë basenit në Fier për të ndërhyrë në lum.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Komunës Velabisht, Bledar Çili. Ky i fundit ka pohuar se do të kërkojë deri në fund shpjegime për këtë padrejtësi, siç e quajti ai ndërhyrjen që është bërë nga ana e policisë, për një punë që zhvillohet në kushtet e mungesës së fondeve nga ana e qeverisë.

Çili shprehet se ndërhyrja është bërë pasi banorët e tre fshatrave: Gjeroven, Remanic e Veretik rrezikohen seriozisht nga dalja nga shtrati e lumit Osum, i cili shtrihet shumë pranë këtyre fshatrave.

Si pasojë e mbetjeve të hedhura në vite në breg të lumit, shtrati i tij është ngushtuar së tepërmi dhe rrezikon daljen në ditët me shi kur prurjet shtohen.

Kryetari i komunës thotë se këtë situatë e ka bërë të ditur pranë Ministrisë së Brendshme dhe Prefekturës, por përveç premtimeve fondet nuk kanë mbërritur.

“Në këto kushte, me ndihmën e drejtuesve të disa firmave të ndërtimit dhe banorëve të fshatit, kemi nisur nga puna që të ndërhyjmë vetë për pastrimin e shtratit të lumit nga mbetjet e shumta. Madje, duke pastruar lumin kemi zgjidhur dhe problemin emergjent të rrugës së fshatit Gjerovenë”, thotë kreu i komunës.

Më tej, ai sqaron se me mbetjet e dala nga lumi është shtruar një pjesë e rrugës, duke u bërë e kalueshme, pasi ishte në gjendje të vështirë.

Top Channel