Më shumë se 12 mijë banorë që regjistron Komuna e Libofshës në Fier prej vitesh vuan mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm.
Ndër vite, banorët e sigurojnë ujin në ato pak burime natyrore që ka zona fushore e Myzeqesë, ndërsa jo pak herë kanë dëgjuar premtime elektorale për ndërtim ujësjellësish.
Kryetari i Komunës së Libofshës, Nikolla Zaka, shprehet për “Shqip” se prej disa muajsh ka nisur nga zbatimi projekti i ndërtimit të një ujësjellësi të ri, i cili pritet të zgjidhë përgjithmonë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e komunës.
“Është një fond prej 60 milionë lekësh që po përdoret për ndërtimin e ujësjellësit të ri. Fillimisht do të mundësohet furnizimi normal me ujë i 6000 banorëve dhe brenda pak ditësh ky furnizim do të zgjerojë rrezen e shtrirjes së tij duke shkuar në më shumë se 15 mijë banorë. Fondi është mundësuar nga qeveria shqiptare dhe pritet që vepra të përfundojë në muajin qershor”, ka thënë kreu i komunës, Zaka.
Ujësjellësi po ndërtohet në kufijtë e fshatit Daullas, që nga pjesa territoriale i përket komunës fqinje me atë të Libofshës, Komunës Qendër.
Kapaciteti fillestar i ujësjellësit do të jetë 600 metra kub ujë në sekondë. Si vend ndërtimi për ujësjellësin është marrë vendburimi i Daullasit, ndërkohë që pas shtrimit të një tubacioni magjistral, uji do të shkojë në të gjitha fshatrat bregdetare, që çdo sezon vere vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.
Top Channel