Siguria ajrore, BE vendos afate

31/03/2010 16:15

Komisioni Europian i ka kërkuar Shqipërisë që të përmirësojë urgjentisht sigurinë ajrore në të kundërtën vendi mund të përballet me masa ekstreme.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar një ditë më parë Komisioni vëren se autoritetet shqiptare duhet të rrisin kapacitetet për të monitoruar sigurinë ajrore në kompanitë vendase të cilat ato vetë kanë licensuar.

Kjo deklaratë e Komisionit vjen pas një raporti të bërë nga Agjencia Europiane e Sigurisë Ajrore, e cila i ka raportuar komisionit se Shqipëria nuk i ka përmbushur standardet e kërkuara në sigurinë ajrore. Komisioni parlajmëron se do të mbikëqyrë nga afër procesin në këtë fushë.

Praktikisht Komsioni e ka vënë Shqipërinë përpara një testi të vështirë, ku i kërkon që të përmirësojë rrënjësisht sigurinë brenda një afati shumë të shkurtër kohor. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil thanë për Top Channel se brenda datës 15 maj komisioni do të marrë edhe vendimin përkatës për këtë cështje dhe nëse Shqipëria nuk do të arrijë të përmbushë dot kriteret atëherë vendi rrezikon që të futet në listën e zezë ajrore të Bashkimit Europian. Kjo do të thotë që fluturimet e kompanive ajrore shqiptare nuk do të lejohen më të shkelin hapsirën e Bashkimit Europian.

Megjithatë drejtues të lartë të aviacionit Civil janë shprehur optimistë dhe i thanë Top Channel se janë të gjitha mundësitë që kushtet e vëna nga BE- të përmbushen përpara afatit të vendimit në datën 15 maj. Aktualisht Shqipëria ka dy operatore fluturimesh ajrore vendas, të cilat kryejnë fluturime në një sërë destinacionesh të BE-së.

Top Channel