Kuvendi: Të kontrollohet KLSH-ja

30/03/2010 08:55

Deputetët demokratë të Komisionit të Ekonomisë propozojnë ngritjen e një strukture që do të kontrollojë punën e institucioneve të pavarura sa u takon shpenzimeve që bëjnë.

Ideja u hodh gjatë prezantimit në Kuvend të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku anëtarët e komisionit pyetën kryetarin Robert Çeku nëse ka brenda KLSH-së ndonjë strukturë të pavarur që monitoron buxhetin e këtij institucioni.

Një tjetër pyetje drejtuar Çekut ishte nëse ka ndonjë strukturë antikorrupsion brenda KLSH-së për të kontrolluar punën e inspektorëve.

Në debat e sipër, deputetët e panë të arsyeshme krijimin e një hallke që do të kontrollonte nga afër punën e KLSH-së, si dhe të institucioneve të tjera të pavarura, gjithnjë sa u takon shpenzimeve të buxhetit.

“Jam plotësisht dakord që të kontrollohet buxheti i KLSH-së, mënyra sesi shpenzohet etj. Kjo duhet të vlejë edhe për institucionet e tjera të pavarura, sikurse ndodh në vende të ndryshme të botës”, tha kreu i KLSH-së, Robert Çeku.

Top Channel