Skandali i ushtarëve, protestë para ambasadës greke

27/03/2010 10:55

Protestë para ambasadës greke në Tiranë, pas skandalit në ceremoninë festive të pavarësisë së Greqisë, ku gjatë paradës së forcave speciale detare greke janë hedhur thirrje antishqiptare, antiturke dhe antimaqedonase.

Shoqata antiqeveritare janë bashkuar në këtë protestë me moton “Greqia, turpi i BE-së”, ndërsa të pranshëm janë edhe deputetët e PDU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri.

Forca policie ndodhen në zonë, ndërkohë që deri më tani gjithcka po zhvillohet qetësisht.

“Grek lind, nuk bëhesh kurrë, gjakun tënd do të derdhim, mor derr shqiptar”, që në greqisht thuhet “Elinas gjeniese, dhen gjinece pote, to ema su tha hisume, guruni Alvane”, ishte një prej fjalive të thëna në paradë.  

E filmuar nga një gazetar i “Eleftherotypias”, ngjarja është bërë e njohur në të gjithë Greqinë dhe ka provokuar reagime të menjëhershme. Kështu bëhet e ditur se pas një mbledhjeje të ministrit të Mbrojtjes dhe atij të Rendit, është vendosur shkarkimi nga detyra i komandantit të togës përgjegjëse për atë që është cilësuar nga media greke si “turp”.

Top Channel