Vizat, Berisha: Jo më poshtë se Bosnja

25/03/2010 19:45

Kryeministri shqiptar Sali Berisha mori pjesë në takimin rutinë të Partive Popullore Europiane që mbahet gjithmonë përpara samitit te krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.

Berisha u ka kërkuar homologëve të tij në Bruksel që Shqipëria të mos vlerësohet në të njëjtën paketë me Bosnjen për liberalizimin e vizave, por më vete.

“Absolutisht, asnjë lidhje nuk pranoj me asnjë vend tjetër. Uroj që Bosnja ta marrë, por unë nuk dua vlerësim në paketë por në performancën time. Jam optimist dhe i sigurt se vendimi do të merret në vitin e parë të mandatit tim të ri”, ka deklaruar Berisha.

Ky qëndrim i guximshëm i kryeministrit shqiptar pati befasuar diplomatët sllovenë në Bërdo të shtunën e kaluar.

Por shefi i qeverisë gjykon se Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm në kriteret teknike të udhërrëfyesit.

Madje, sipas tij, Bosnja nuk gëzon mbështetje më të madhe nga vendet anëtare në këtë proces, edhe pse diplomatët europianë thonë të kundërtën.

Vlerësimet e ekspertëve për Shqipërinë dhe Bosnjen publikohen në 15 prill dhe bazuar në këtë raport, Komisioni paraqet rekomandimin e tij për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërine e Bosnjën në fund të majit ndaj Parlamentit Europian.

Në shtator, Bashkimi Europian ka programuar të nisë një grup të ri ekspertësh për të parë përmbushjen e kritereve të paplotësuara deri tani.

Nëse vlerësimi i tyre do të kënaqë kriteret e Komisionit, ministrat e Brendshëm europianë marrin vendim në tetor për heqjen e vizave me Shqipërinë.

Top Channel