Topi dekoron dy artistë shkodranë të humorit

25/03/2010 14:30

Javë dekorimesh kjo për presidencën e Republikës. Pas “Nderit të Kombit” pas vdekjes për të madhin Sandër Prosi, ishte radha e dy artistëve shkodranë të humorit për t’u vlerësuar nga Presidenti i Republikës

Që sot Gjosho Vasija dhe Gëzim Kruja janë “Mjeshtra të Mëdhenj”, urdhër i lartë ky që i jepet figurave të artit. Të emocionuar, ata falenderuan sipas mënyrës së tyre, me batuta:

“Fjalët i merr era, dokumentit i vjen era”. Kjo erë është djersa ime pesëdhjetë e dyvjeçare”, u shpreh humoristi Kruja.

“60 vjet që kam dhënë në skenë jam munduar që t’i mbush shpirtin me gaz popullit që e kishte barkun bosh. Populli kishte dashur të na jepte gjithçka, shteti nuk dha asgjë për këtë popull. Erdhi koha dhe ne sot kemi një parfum, parfum lire, parfum demokracie dhe një falenderim të fuqishëm Presidentit të madh, zotit Bamir Topi”, u shpreh Vasija.

Gjosho Vasija është një autor i humorit me një eksperiencë rreth 60-vjecare. Kurse Gëzim Kruja, me eksperiencë rreth 50-vjecare, edhe ai autor, njihet nga publiku i gjerë më shumë për rolet dhe pantomimat e tij.

Top Channel