SHBA: Keqardhje që kriza s’është zgjidhur

25/03/2010 16:30

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka hedhur kritika ndaj klasës politike shqiptare, duke shprehur keqardhje për mos arritjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë vendin.

“Shprehim keqardhje që deri më sot nuk është arritur një zgjidhje për krizën politike”, ka deklaruar ambasada, e cila ka bërë thirrje që palët të angazhohen seriozisht për një zgjidhje në sallën e Kuvendit dhe jo në rrugë.

“Nxisim të gjitha palët që të vijojnë të punojnë brenda Kuvendit me dialog dhe kompromis. Toni i diskutimeve duhet të përqendrohet tek pikat e përbashkëta, jo tek arritjet partiake”, ka pohuar ambasada.

Më tej selia diplomatike ka shprehur mbështetjen e saj ndaj deklaratave të ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, se seanca parlamentare e zhvilluar më 18 dhe 19 mars ishte e padobishme.

“Veprimet e njëanshme nuk zgjidhin ngërcin aktual dhe as cojnë përpara axhendën euro-atlantike”, ka shtuar ambasada.

Top Channel