Tatimet u kujtojnë bizneseve datën 31 mars

21/03/2010 09:10

Dorëzimi i bilanceve, i pasqyrave financiare dhe deklarimi i pagesës së tatim-fitimit është një proces shumë i rëndësishëm për administratën tatimore, por edhe për bizneset.

Këta të fundit duhet të jenë të kujdesshëm në paraqitjen në kohë të bilanceve, si dhe me rezultatet që duhet të pasqyrojnë.

“Ju kujtojmë se data 31 mars 2010 është afati i fundit i dorëzimit të pasqyrave financiare dhe formularit të deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi fitimin, si dhe formularit të deklarimit dhe të pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël”, thuhet në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Porosia e lënë lidhet me pasqyrat financiare që duhet të përgatiten sipas standardeve kombëtare të kontabilitetit Nr. 2 dhe Nr. 15 (për mikrondërmarrjet).

Ky standard përqendrohet vetëm në disa nga çështjet bazë mbi organizimin e kontabilitetit, mbi mbajtjen e llogarive, mbi përgatitjen dhe deklarimin e raportimeve financiare vjetore të thjeshtuara nga mikronjësitë ekonomike.

Mikronjësi quhet një njësi ekonomike ku punësohen më pak se 10 persona, e cila ka një shifër afarizmi dhe/ose bilanc total vjetor jo më të madh se 10 milionë lekë.

Në kriterin e dytë, në rast se njëra, shifra e afarizmit ose bilanci total vjetor është jo më i madh se 10 milionë lekë, do të quhet mikronjësi. Këto kritere duhet të plotësohen për dy vitet e fundit.

Top Channel