Kutitë, si u hapen në 2005

19/03/2010 15:35

E ndërsa të dy palët nuk leshojnë në pozicionet e tyre, i vetmi propozim i hedhur mbi tryezë e që mund të jetë si pikë nisje për ndonjë kompromis të mundshëm, ka ardhur nga opozita pak ditë më parë dhe ka të bëjë me materialin zgjedhor.

Ne vitin 2005 ekziston nje precedent, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të bëjë zbardhjen e dokumentave dhe materialeve zgjedhore në kuti, por pa prekur votat.

Më 15 mars, në komisionin parlamentar të ligjeve, deputeti socialist Fatmir Xhafaj përmendi si hapësire kompromisi kqyrjen nga parlamenti jo të fletëve të votimit, por te materialeve zgjedhore.

“Norma e re në këtë projektligj që kërkohet të miratohet, parashikon se një ndër veprimet hetimore mund të jetë edhe hapja e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore apo fletëve të votimit. Mosmarrëveshja juridike në gjykatë ka qenë e lidhur me të drejtën proceduriale për rinumërimin dhe rivlerësimin e fleteve te votimit dhe jo me kutitë e materialeve të votimit. Duke vijuar me këtë lloj arsyetimi, ateherë nuk do të rezultonte asnjë pengesë, të paktën për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore, përderisa nuk ka një vendim gjykate që të jetë shprehur për këto kuti. Ju jeni të gatshem per ta bere nje gje te tille? Sipas nesh, dhe mesa degjuam, sigurisht qe jo! Nuk ju lejon urdhri politik”, tha në mbledhjen e komisionit në 15 mars, Xhafaj.

Një ditë më parë në sallën e Kuvendit Xhafaj kujtoi precedentin e vitit 2005.

“KQZ vendosi atëherë të hapë kutitë e materialeve zgjedhore, por atëhere shqyrtoheshin zgjedhjet e PS dhe sot ato të PD”, kujtoi Xhafaj.

Vendimi i KQZ-së në këtë pikë është i qartë: dokumentacioni që u vu në dispozicion përbëhej nga listat e zgjedhësve, tabelat e rezultateve për partitë politike dhe koalicionet, korrespodenca me faks me KQZ-në, tabelat përmbledhëse të rezultateve për partitë poltike dhe koalicionet.

KQZ vendosi asokohe ngritjen e një komisioni të posacëm me punjës të admninistratës së saj për të realizuar hapjen e kutive dhe përcaktoi një procedurë dhe një një orar të caktuar.

Kutitë në fakt nuk u hapën të tëra, sepse 2 partitë kryesore e humbën interesin. Pra është e vërtetë që ka pasur një precedent në vitin 2005, por vetëm për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore.

Që pas deklaratës së Fatmir Xhafajt në Komisionin e Ligjeve, Partia Socialiste nuk e përsëriti më propozimin e saj për hapjen vetëm të kutive të materialeve zgjedhore. Fletët e votimit, vazhdojnë të mbeten lejtmotivi i vetëm i diskutimeve.

Top Channel