Fyle rithekson: Ngërci mund të pengojë integrimin

19/03/2010 18:40

Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Shtefan Fyle bëri të njëjtën deklaratë brenda pak orësh të qendrimit të tij në Shqipëri, duke tërhequr vemendjen e klasës politike se në rast se ngërçi politik vazhdon, kjo mund ta pengojë Shqipërinë në arritjen e standardeve politike të pritshme nga një vend që ka aplikuar për anëtarësim në BE.

Gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Sali Berisha, pas një takimi që zhvilloi paraprakisht me të në selinë e qeverisë, diplomati evropian theksoi se kriteri i vlerësimit për Shqipërinë në të ardhmen do të jetë vijimësia e situatës politike dhe debatit në parlament.

Fyle vendosi të rilexojë sërish deklaratën e shpërndarë për mediat para nisjes së takimeve zyrtare me krerët shqiptarë, duke theksuar ndër të tjera se “Një parlament thellësisht funksional është thelbësor për një funksionim të plotë të demokracisë. Parlamenti është vendi për dialog dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike në mënyrën se si zbatohet në Bashkimin Evropian. Rruga në vazhdim duhet të udhëhiqet nga dy parime themelore demokratike: respekti për Kushtetutën dhe transparenca. Në interes të vendit të tyre dhe të perspektivës së integrimit evropian, liderët politikë të Shqipërisë duhet të përballen tani me këtë sfidë në mënyrë konstruktive dhe në frymën e Bashkimit Evropian”.

Ndërkohë kryeministri Sali Berisha, konfirmoi se në takimin me Fyle është diskutuar cështja e ngërcit politik. Shefi i qeverisë theksoi se i ka shprehur bindjen komisionerit se cështja duhet të zgjidhet nga lidershipi politik në përputhje me Kushtetutën.

“Vendi ka te gjithe instrumentat e shtetit ligjor për të vepruar ne perputhje me Kushtetuten dhe per të realizuar transparencën”, u shpreh Berisha.

 

Top Channel