Teksa koha e regjistrimit të parë të popullsisë në baza fetare po afron për Shqipërinë, përpara na del një popull që paraqet një realitet vërtet të fragmentarizuar.

Besimet e mëdha tradicionale janë tashmë nën ofensivën e feve të vogla, dikur fare të panjohura, të cilat prej shumë vitesh kanë arritur të krijojnë radhët e besnikëve të tyre. Këta njerëz të thjeshtë janë mormonë. I përkasn kësaj feje dhe identifikohen me dëshirë me të. Bëhet fjalë për familjen Veliu, një strehë shumë-anëtarëshe që jeton në një lagje të Tiranës.

Shqiptarë të vërtetë, anëtarët e kësaj familjeje deklarohen si pjesëtarë të këtij besimi shumë të ri dhe pak të përhapur në vend. “Une jam njohur me kishen 13 vjet më parë dhe jam pagëzuar perpara 11 vjetësh”, shprehet Erald Veliu. E ndryshme në zgjedhjen e përkatësisë fetare, kjo familje nuk mendon se i përket ndonjë lloji të veçantë familjeje nga ato që hasen zakonisht në Shqipëri.

Nexhmi Veliu, kryefamiljar, thotë se përvec brendisë, përfaqësimi nuk i bën të ndihen të vecantë mes komunitetit ku jetojnë. “Nuk besoj të jem ndryshe nga të tjerët. Është besim si gjithë të tjerët. Ndryshe është kisha, e cila është një kishë e thjeshtë”, deklaron Nexhmiu, ndërsa Hatixhja shton: “Ne e shohim botën ndryshe, edhe njërëzit e tjerë. Në duam edhe armikun tone”.

Një besim i vogël i ka bërë këta njerëz te kenë një unitet të madh mes njëri-tjetrit dhe komunitetit të bashkëbesimtarëve të tyre. Marsida, njëra prej vajzave tregon: “Kur ne familje është i njëjti besim, bëjmë gjera që na lumturojnë bashkë”. Të përfaqësuar sot si mormonë, këta njerëz mbajnë në gjenezë një tjetër prejardhje fetare. “Vij nga një besim mysliman, por jo që e kam praktikuar këtë fe. Mua më pëlqen kjo që kam dhe Zoti thotë: zgjidh atë që të pëlqen”, shton Nexhmiu. Liria e besimit ka bërë që shumë fe të vogla e pak të njohura të përhapen.

Pjesa më e madhe, shpërthimin e kanë në fillim të viteve ’90. Vjollca Sinani, një përfaqësuese e komunitetit Bahai në Shqipëri pohon: “Bahai e ka zanafillën në Shqipëri në vitin 1930 dhe u njoh nga një gazetare amerikane që vizitoi Shqipërinë. Por pas sistemit totalitar u rigjallërua në fillim të viteve ’90. Atëherë numëronim rreth 15-16 mijë besimtare. Sot me lëvizjen dhe ndryshimin e adresave i kemi humbur kontaktet”, pohon Vjollca.

Përvec bashkësive fetare tradicionale, myslimanëve, katolikëve, ortodoksve dhe bektashinjve, në regjistrin aktual kombëtar figurojnë edhe disa fe të vogla, po ashtu edhe kisha që udhëheqin besime të caktuara. Së fundmi, një sipërmarrje për regjistrimin e banesave, do të kryejë edhe regjistrimin e popullsisë sipas përkatësisë fetare, të dhëna të cilat do të jenë gati në 2012-ën.

Konfiguracioni që pritet të dalë nga ky regjistrim, përveç diskutimeve politike, pritet të nxjerrë në dritë për herë të parë, numrin e praktikantëve të besimeve të reja fetare në Shqipëri. Një e dhënë që mund të shërbejë si premisë për portretin e një Shqipërie ku përkatësia fetare të mos ketë më dramacitetin dhe rëndesën që i është dhënë për shumë kohë gjatë shekujve.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel