Shenja të dyshimta në qiell

18/03/2010 18:50

Dhjetra objekte fluturojnë çdo ditë në hapësirën ajrore të Shqipërisë. Kryesisht avionë të linjave tregtare apo ushtarake, ata vijëzojnë qiellin tonë, por përveç hapësirës së kaltër ata lënë shenjë edhe diku tjetër.

Jemi në Qendrën e Kontrollit të Trafikut Ajror. E vemtja në vend. Këtu rregjistrohet çdo objekt që çan ajrin shqiptar. Përmes mjeteve të fuqishme interceptuese dhe atyre të komunikacionit të kësaj qendre, mjetet fluturuese dërgojnë sinjale dhe komunikojnë me stafin që punon këtu.

Ilir Shegani, supervizor ne këtë qendrër kontrolli ndan ngutshëm me ne për pak caste, detaje nga puna e tij e përditshme. “Kujdesemi për sigurinë në hapësirën e Shqipërisë dhe qe avioni të arrijë në destinacion shumë shpejt. Kujdesemi të shmangim përplasjet, sepse udhëtimet bëhen në disa rrugë të përcaktuara ajrore”, thekson ai. Por a ka objekte që përshkojnë hapësirën tonë ajrore dhe që askush, as në tokë, madje as në këtë qendër nuk janë në gjendje që t’i identifikojnë?

Arben Cenolli, shef i Qendres Operacionale te Sovranitetit Ajror, pohon: ”Natyrisht që ka pasur shumë raste të tilla. Këto aparatura punojnë me radar sekondar dhe nuk mund të kapin UFO, por janë të tjerët, radarët primare të ushtrisë që shërbejnë për të tilla sinjale. Radarët primare kapin cdo lloj shenje në ajër”. Një objekt që nuk identifikohet me anë të një kodi të caktuar që u dërgohet autoriteteve në tokë, skedohet menjëherë si një Objekt i Paidentifikuar Fluturues, pra një UFO.

Në qendrën e kontrollit, sidoqoftë, për arsye të paditura, specialistët hezitojnë t’i kategorizojnë në këtë mënyrë. “Ka pasur raste, jo detyrimisht objekte misterioze. Ka pasur avionë që nuk janë përgjigjur, jo civile flasim. Është një qiell i vetëm, kur ka sinjale të tilla, gjithë sistemi është i integruar dhe menaxhohet edhe nga NATO-sinjali dhe nga Euro-kontrolli. Në vitet ’60 ka pasur dyshime mbi disa balona. Edhe në kohet e sotme ka pasur sinjale, po kanë qenë më shumë alarme sesa të vërteta”, shton Arbeni.

Por çfarë ndodh në momentin që një alarm për një objekt të panjohur që fluturon mbi Shqipëri kapet nga autoritetet? “Në momentin që konsiderohet se objekti nuk menaxhohet ose është i dyshimte, ndërhyjmë ne, kur nuk marrim reagim ndërhyjme edhe me avionë të specializuar të NATO-s”, shton ai. Incidentet janë të pashmangshme. Atëherë kur ndodhin, në lojë përfshihen menjeherë Forcat Ajrore vendase.

Sulo Mustafaraj, shef i sektorit të Policimit Ajror thotë se struktura është përgjegjëse për objektet e fluturimet me qëllime të dyshimta. “Ne patrullojme hapësirën ajrore. Kur merret sinjali për avion me qëllime dashakeqëse, ndërhyjmë ne”, thekson Sulo. Në situata të pazakonta, njësia civile i dorëzon “armët” Forcave Ushtarake. Në vetëm pak minuta merren vendime të jashtëzakonshme. “Rast i tillë ishte ai i ndërrimit të viteve ku u lajmërua nga linja Shtutgart-Antalia, rrëmbim avioni”, vijon Sulo.

Jashtëtokësorët, sinjalet që pretendohen se vijnë prej tyre, a kanë mundur të mbërrijnë edhe në veshët e atyre që monitorojnë qiejt tanë? Pyetja mister e gjithë botës, mbetet një legjende e pazbardhur edhe për hapësirën shqiptare.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel