Minxhozi: Palët po tensionojnë qëllimisht situatën

18/03/2010 21:30

Analisti i njohur i shtypit shqiptar, Skënder Minxhozi ka deklaruar se palët politike në vend nuk e kanë arritur ende kulmin e tensionit te situatës politike.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Minxhozi është shprehur se mazhoranca dhe opozita duan të vazhdojnë konfrontimin mes tyre.

“Para se t’u futemi formulave konkrete që mund të sjellin zgjidhje, duhet vënë re një gjë që po del nga kjo seancë: politikanet shqiptarë kanë një pikë shkrirjeje shumë të lartë. Në nje demokraci liberale një sherr i tillë nuk do kishte gjasa të ndodhte dhe nëse do të ndodhte nuk do të zgjaste kaq shume. Kam pershtypjen se për shkak të kësaj pike shkrirjeje, palet gjykojne se duhet ende tension”, ka pohuar Minxhozi.

Sipas tij, palët po tensionojnë qëllimisht situatën duke ashpërsuar gjuhën me njëra-tjetrën dhe po shtiren sikur duan të gjejnë një zgjidhje.

“Palët e shtojnë me qëllim tensionin, shantazhin, dhunën verbale, kërcënimet publike, hiletë, seancat kilometrike, etj. Kam përshtypjen se ndodhemi në një fazë kur të dyja palët bëjnë gjoja, duke gjykuar se tensioni politik në vend nuk është ende i tillë për t’i ulur në tryezë”, ka nënvizuar Minxhozi.

Ai ka shtuar më tej se edhe këtë herë do të duhet ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të ulur palët në bisedime dhe për të arritur një zgjidhje.

“Kam frikë se nuk jemi ende aty ku duhet, në tryezen e zgjidhjes finale dhe në të gjitha rastet kur ka pasur tension, situata është zgjidhur nga pala e tretë”, ka shtuar Minxhozi.

Top Channel