Hetimi i zgjedhjeve, vijojnë debatet në Kuvend

18/03/2010 20:30

Kriza politike mbërrin në kuvend, në ditën e fundit të ultimatumit të dhënë nga ndërkombëtaret për zgjidhjen e saj.

Parlamenti ka nisur diskutimet në një seance qe duket se do të jetë maratonë për shkak të numrit të madh të deputetëve që kanë kërkuar të diskutojnë. Vetëm nga opozita janë rreth 50 diskutime të prenotuara.

Opozita e ka bërë të qartë deri më tani në fjalimet në parlament se nuk do të pranojnë hetim të zgjedhjeve pa hapur kutitë.

Deputetët socialistë që kanë folur deri në këtë orë të mbrëmjes e kane shprehur qartë qëndrimin e tyre për hapjen e kutive, pasi vetëm kështu mund të bëhet transparenca e zgjedhjeve.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha, i cili ka qëndruar pa lëvizur nga salla, duke ndërhyrë thuajse pas cdo fjalimi të deputetëve opozitarë, shprehu gatishmërinë për t’i dhënë përgjigje legjitime kushtetuese kërkesës së opozitës për transparencë.

“Ju ftoj ta ndërtojmë komisionin hetimor ku ju te keni shumicen. Ky komision do të ketë mundësi të plotë në përputhje me Kushtetutën, me parimet themelore të ndërtimit të një demokracie, të bëjë hetimin e plotë. Cdo votë mund të numërohet, por sipas procedurës kushtetuese. Nëse ju keni fakte për kriminelët elektorale le t’i shohë prokuroria dhe ne mund të bëjmë amendime te Kushtetutës. Por asnjëri prej nesh nuk mund të marrë detyrën e prokurorit dhe gjykatësit dhe nuk mund të ndryshojmë parimet themelore të shtetit dhe ndarjes se pushteteve”, u shpreh Berisha.

Seanca do të vijojë e gjatë dhe në fund të saj do të ketë një votim për draftin ligjor per hetimin e zgjedhjeve.

Top Channel