Dule: Kryeministri të heqë dorë nga qëndrimi i tij

18/03/2010 22:00

Deputeti opozitar i PBDNJ-së, Vangjel Dule deklaroi se duhet të bëhet transparenca e zgjedhjeve duke theksuar se qëllim nuk është ndryshimi i rezultatit.

Dule theksoi se kërkohet të mësohen mënyrat e manipulimeve, me të cilat opozita pretendon se janë bërë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Cfare e keqe do t’i vijë këtij parlamenti e kësaj qeverie nga transparenca? Eshtë momenti që sot të vendosim atë qe e thotë Kushtetuta. Nuk mund të hetojmë gjykatat, por asgjë nuk na pengon në misionin tonë të shfletojmë cdo procesverbal, të hapim edhe kutinë e qendrës më të largët të votimit, sepse kështu vetëm kontribut do të kemi për proceset zgjedhore të ardhshme”, u shpreh Dule.

Sipas tij nëse nuk i jepet zgjidhje sot situatës, atëherë do i takojë qytetarit përmes logjikës së tij të gjejë zgjidhjen.

“Nëse do të vazhdoni të qëndroni më insistimet tuaja, zoti kryeministër po hidhni hije mbi legjitimitetin demokratik te qeverisë suaj”,u shpreh Dule.

Menjëherë ka reaguar kryeministri Berisha, i cili është përgjigjur duke garantuar qytetarët se mazhoranca është e vendosur për transparencë të plotë, në cdo qelizë, në cdo akt, në cdo proces të zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Ne respektojmë Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetese dhe të shtetit ligjor. Nëse mendojmë se ky parlament mund të marrë të gjitha atributet, të gjitha pushtetet ky do të ishte problem i madh për këtë vend”, u shpreh Berisha.

Sipas kryeministrit, kur ofrohet rruga e transparencës, opozita nuk reagon pozitivisht, përkundrazi, ajo kërkon të dhunohet Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel